Shqipëri-Greqi, Basha: “Të zgjidhen çështjet e lëna pezull”
Kreu i PD-së, Basha në takimin e tij me kryeparlamentarin grek, Meimarakis, bëri apel për angazhimin e mëtejshëm të dy vendeve në zgjidhjen e çështjeve të lëna pezull. Kryetari Basha, ka përmendur çështjen e pronave të qytetarëve çamë të shpërngulur pas Luftës së Dytë Botërore, për të cilën kërkohet një zgjidhje. Gjithashtu në lidhje me incidentin e ndodhur në burgjet greke, kreu i PD-së Lulzim Basha, u shpreh i bindur se drejtësia e vendit fqinj do të bëjë punën e saj për zbardhjen e ngjarjes.
“Ndonëse marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira, ka ende potenciale të pashfrytëzuara për të thelluar dhe konsoliduar më tej këto marrëdhënie, dhe se për këtë duhet të mbizotërojë vullneti i mirë politik dhe vendosmëria për të hapur një kapitull të ri bashkëpunimi edhe më të ngushtë e të frytshëm në të gjitha fushat.”, ka thënë Basha.
Ai vlerësoi marrëdhënien dypalëshe me shtetin helen, si mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen, si dhe përkrahjen e presidencës greke të BE-së, që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat.