PS: Sulmi për të mbrojtur ish-zyrtarët, opozita të bëhet serioze, të shkojë në prokurori
Partia Socialiste reagoi menjëherë pas deklaratës së kreut të PD-së, Lulzim Basha, duke e cilësuar jo serioz sulmin e opozitës ndaj Forcave të Armatosura. Në një dalje për mediat, deputetja Olta Xhaçka tha se opozita ngre akuza se do të marrë në mbrojtje politike ish-zyrtarët e Mbrojtjes të zhytur në korrupsion.Deklarata për shtyp e deputetes Olta XhaçkaPartia Demokratike është duke u bërë çdo ditë e më qesharake me akuzat për avionë të padukshëm që ngrihen në qiejt e Shqipërisë. Njëherë nga malet e Gjadrit, njëherë nga kënetat e Divjakës e njëherë nga rruga e Tepelenës. Askush nuk i ka parë këta avionë imagjinare, përveç ish Kryetarit të PD Berisha dhe zëdhënësit të sotëm Basha.Partia Socialiste e fton opozitën të bëhet serioze e të ndalojë këtë lumë akuzash të paskrupullta, e mbi të gjitha qesharake, të cilat nuk bëjnë asgjë tjetër veçse tentojnë të cenojnë imazhin e vendit dhe të Forcave të Armatosura, me të vetmin qëllim: Marrjen nën mbrojtje politike të ish zyrtarëve të lartë të ministrisë së mbrojtjes të zhytur deri në fyt në korrupsion.Prokuroria ka nisur hetimet, me kërkesë të Ministres së Mbrojtjes. Nëse opozitës i ka mbetur qoftë edhe një fije serioziteti, pretendimet e saj le t’i paraqesë në Prokurori për të mos u bërë gaz i botës përmes qëndrimeve dhe deklaratave qesharake si këto të ditëve të fundit.