Publikimi i SMS, Kadeli: Të mbahet përgjegjësi për nxjerrjen e sekretit shtetëror VIDEO

Përgjimi i Kryeministrit në një vend demokratik është cënim i sigurisë kombëtare. Kështu deklaron deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Gjovalin Kadeli, lidhur me mesazhin e bërë publik nga opozita. Në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News ai deklaroi se institucionet e specializuara duhet të mbajnë përgjegjësi për nxjerrjen e sekretit shtetëror.“Lidhur me sms ka nevojë të hyhet më thellë, nuk mundet që një sms i tillë që presupozohet se ja ka dërguar Kryeministri Ministrit të dalë nga institucione të ndryshme që kanë përgjegjësi të ruajnë ato sekrete. Nuk është e drejtë të përgjohet Kryeministri i një vendi demokratik, ka të bëjë me cënim të sigurisë kombëtare. Kjo nuk është hera e parë që pikërisht për këto arsye në Shqipëri shkaktohen trazira.Një hetim duhet bërë, por nga institucionet e specializuara, duhet të informojnë sëpari dhe pastaj të mbajnë përgjegjësi për nxjerrjen e sekretit shtetëror. Siguria kombëtare e një vendi demokratik, anëtare e NATO-s nuk mund të cënohet në këtë mënyrë” tha ai.Për deputetin e LSI-së, Komisioni hetimor i ngritur për lëvizjet në polici nuk prodhoi asgjë përveç kostos financiare në kurriz të shqiptarëve. Megjithatë në intervistën me drejtorin e Informacionit Patrik Sadikaj, Kadeli shprehu rezerva për disa ndryshime në policinë e shtetit.“Me keqardhje konstatoj se ky komision po shkon pothuajse siç kanë shkuar të gjithë komisionet hetimore në Shqipëri. Është e pafalshme që ne deputetët të ngrihemi me një zhurmë të madhe sikur po hetojmë jo të pahetueshmen, por të pa qenën dhe në fund rezulton me dy raporte, me një zhurmë fallsiteti që vetëm sa u kushton shqiptarëve ca vlera financiare. Përvoja ka treguar se komisionet hetimore në Shqipëri të gjitha kanë dështuar dhe shumica prej tyre janë ngritur nga PD. Nuk ishte e kohës që të ngrihej komision hetimor për një gjë që duhet të ndodhë, reformimi i policisë ishte domosdoshmëri e kohës. Pavarësisht që unë nuk jam dakord me shumë lëvizje në polici, por kjo nuk e pengon reformën që duhet të bëhet, pasi policia e shtetit ishte kthyer në informatorë të kriminelëve, një pjesë, jo të gjithë” deklaroi Kadeli.gjovalin kadeliDeputeti Kadeli sqaroi dhe qëndrimin e tij kundër në Komisionin e Ekonomisë për ndryshimet e bëra në projektligjin për ndihmën sociale nga Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë.“Ai ishte një projektligj i bërë nxitimthi, pararojë e një projektligji që mund të vijë shpejt në parlament në mënyrën si zoti.Veliaj parashikon lidhur me të ardhmen e këtij sektori. Ajo që unë ngulmova dhe mendoj e kisha me të drejtë dhe sot mu dha e drejta, nuk ka sesi që në Shqipëri një banor i një zone të marrë 900 lekë të vjetra përkrahje sociale. A ka shqiptar që mund të më thotë që një shqiptar me 900 lekë të vjetra mund të mbajë muajin me ushqimet bazë, si mund të jetojë ajo familje? Në një kohë kur listat e përkrahjes sociale, militantët partiakë, marrëdhëniet e tyre me drejtuesit e njësive vendore, ata e bëjnë këtë punë duke rritur numrin e përfituesve dhe duke ulë vlerën. Është e pafalshme për ne si deputetë që marrim 1.5 milionë të vjetra. Është shumë fyese. Unë atë këmbëngula që nuk e votoj as unë, as depuetët e LSI nëse nuk vihet dysheme. Kur vihet kjo dysheme kryetari i Komunës e ka të pamundur të luajë me këta njerëz. Përfundimisht kjo është çështje numrash dhe PS nuk ka numrat në komision nëse ne nuk e votojmë, e shtynë për sot dhe sot u mor parasysh kërkesa jonë, detyrimisht e votuam. Por nuk është kjo zgjidhja, duhet të futen skema të ndryshme, në mënyrë që ata banorë që përfitojnë ndihmë ekonomike, vlera e ndihmës ekonomike të jetë e barabartë me një pagë mujore mesatare në Shqipëri. Dhe ata njerëz të punësohen në pushtetin lokal, të mos bëjnë punë vullnetare, por punë me pagë fikse kundrejt një shpërblimi përmes punës që të shkojë në limitet e një page mesatare”theksoi deputeti i LSI-së.Në vijim të intervistës, Kadeli shtoi se si ai vetë, por dhe grupi parlamentar i LSI-së preferojnë të jenë servilë të qytetarëve, paçka se qëndrimet e tyre herë-herë mund të bien ndesh me mazhorancën qeverisëse.“Të gjithë deputetët e LSI jemi njerëz që më shumë preferojmë të jemiservilë të qytetarëve, janë ata që na kanë votuar dhe na votojnë.Vërtet programet e partive politike hidhen në zonë dhe votohen në njëfarë mase, por më shumë votohen njerëzit, njerëzit që i përfaqësojnë dhe kjo marrëdhënie është shumë e dëmshme për një njeri që merret me politikë që ta humb. Sa kohë do merrem me politikë unë do jem gjithmonë pranë tyre. Kam ngritur disa herë shqetësime që kanë qenë dhe kundër kësaj mazhorance, nuk me intereson se kush është Ministër, por që qytetarët të kenë zgjidhje përmes qeverisjes”përfundoi ai.