Eksodi '99, Basha: Rama nuk më ftoi njësoj si në rastin e Vlorës

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, deklaron se nuk ka pasur asnjë ftesë për të qenë pjesë e festimeve që u organizuan në Kukës me rastin e ditës së përkujtimit të 15 vjetorit të eksodit të kosovarëve."Nuk kam asnjë ftesë. Ndoshta mund ta kenë dërguar sot në mëngjes, megjithëse po spekuloj dhe për këtë, deri në këtë moment që më pyesni ju nuk kam pas asnjë ftesë për këtë aktivitet. Natyrisht po të kisha ftesë do ta shqyrtoja në raport me çfarë isha ftuar dhe angazhimet e mia të tjera. Por është rasti i dytë që me sa duket ftesa bëhet sa për të larë gojën, siç ishte rasti i Vlorës.", tha Basha gjatë një prononcimi për shtyp pas përfundimit të takimit të tij me Ambasadorët e BE në Tiranë në hotel Rogner.I menjëhershëm ka qenë reagimi i Departamenti të Komunikimit me mediat dhe qytetarët në Kryeministri, ku përmes një deklarate të shkurtër për mediat thekson se opozita është ftuar në takimin e Kukësit.“Është për të ardhur keq që në një ditë përkujtimore kaq të rëndësishme, flitet për detaje protokollare të paqena. E vërteta është se opozita është ftuar në takimin e Kukësit, nominalisht, ashtu siç janë ftuar në aktivitete edhe të gjithë deputetet e Kuvendit, përfshirë deputetët e opozitës!”thuhet në deklaratë.