Komisioni i ekonomisë diskuton ndryshimet ligjore për sigurinë e depozitave VIDEO

Qytetarët të cilët kanë mbyllur kursimet e tyre në shoqëri të kursim kreditit do të kenë më shumë siguri.Ndryshimet ligjore për rritjen e sigurisë së depozitave u diskutua në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave.Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, shpjegoi se ky ligj rrit sigurinë e depozituesve dhe përcakton një vlerë 0.3 % të shumës për shoqëritë e kursim kreditit dhe 0.5 për bankat.“Nëpërmjet projektligjit të propozuar detajohen detyrimet dhe të drejtat e anëtarëve të skemës së sigurimit të depozitave dhe rritet transparenca nëpërmjet informimit publik; janë përcaktuar depozitat e sigurueshme dhe ato që dalin jashtë skemës së sigurimit bazuar në kritere që janë në përputhje me direktivën e BE-së; përcaktohen detyrimet e degëve të bankave shqiptare jashtë vendit dhe të degëve të bankave të huaja që operojnë në Shqipëri; përmirësohet primi i siguruar i depozitave nga vjetor në 3-mujor. Mbulimi për primin e bankave sigurohet në nivelin 0,5% ndërsa për SHKK-të në nivelin 0,9%. Përmirësime të tjera kanë të bëjnë me drejtimin e ASD-së. Rritja kompetencave të agjenicës është balancuar me rritjen të llogaridhënies. Ndërkaq, projektligji bën një orientim drejt riskut të të gjithë sistemit financiar. Kjo do të thotë që orientimi i të gjithë sistemit financiar është të drejtojë punën më mirë në drejtim të riskut. Është balancuar më mirë me parimet e likuiditetit, kompensimit dhe mbulimit,” tha Cani.Por përfaqësuesja e shoqërive të kursim kreditit, Zana Konini, e quajti këtë një diskriminim dhe kërkoi të njëjtin nivel sigurie të depozitave me atë të bankave.“Bazuar në direktivën europiane duhet që depozituesit të trajtohen njësoj pavarësisht nga skema ku bëjnë pjesë. Duke pasur parasysh që depozituesit e SHKK-ve jetojnë kryesisht në zona rurale, ulja e nivelit të mbulimit ka krijuar përceptimin se ka diferencim mes depozituesve në zonat urbane dhe atyre në zonat rurale,” tha Konini.Rishikim të kësaj pike të ligjit ka kërkuar edhe kryetari Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, duke vlerësuar faktin se këto subjekte i vijnë në ndihmë fermerëve, gjë që nuk e bëjnë bankat.Në Shqipëri operojnë rreth 120 shoqëri kursim kreditesh në të gjithë vendin, të cilat numërojnë rreth 37 mijë anëtarë.