Qeveria: Ja kur nis reforma në pensione, efektet do ndjehen në fillim të vitit 2015 VIDEO

Reforma e pensioneve do të reflektohet direkt tek pensioni më 1 janar 2015. Ministri i Mirënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, në mbledhjen ndërministrore tha se do të ecim me ritme të shpejta që kjo reformë të realizohet.“Reforma në pensione është me rëndësi për vendin. Ka disa probleme që karakterizojnë skemën aktuale të pensioneve. Deficiti shumë i lartë që e rrezikon skemën dhe numri shumë i ulët i kontribuuesve. Kjo mund të sjellë krizë ekonomike dhe krizë sociale. Skema e re për të cilën po punojmë është moderne, dhe do të garantojë pensione më të lartë në përputhje me nivelet e kontributit. Kemi angazhimin për të realizuar këtë reformë. Do të heqim çdo lloj kufizimi të pensionit maksimal, duke rritur masën e pensionit sipas kontributeve, kush do kontribuojë më shumë do marrë më shumë”, u shpreh Veliaj.Ai e quajti këtë një reformë moderne, ku secili do të marrë në pleqëri aq kontribute sa ka derdhur gjatë kohës ku ka punuar.Qëllim i ndërhyjes në skemën e pensioneve, tha Ministri është një zgjidhje afatgjatë.“Për ata që nuk kanë pasur mundësi të kontribuojnë fare do të diskutojmë për një pension social. Ky pension social nuk mund të zëvendësojë pensionin që rrjedh nga masa kontributeve, sa i përket masës apo moshës së daljes në pension. Pra nuk është i njëjtë me pensionin normal. Por synon që një person në moshën 70-vjeçare që e gjen veten jashtë skemës së pensionit, të mund të përfitojë nga skemat sociale. Por ky person duhet të vërtetojë mungesën e të ardhurave. Pra është i ngjashëm me skemën e ndihmës ekonomike që ne kemi sot. Diskutimet për rritjen e moshës së pensionit nuk do të përfshijnë ata që janë në prag të daljes në pension. Me liberalizimin e universiteteve dhe ndjekjen e studimeve është rritur edhe mosha e hyrjes në punë të një qytetari. Për këtë reformë do të diskutohet edhe me grupet e interesit. Kjo skemë do të prekë më shumë të rinjtë, në mënyrë që të kenë interes për rritjen e masës së përfitimit të pensionit, kur të dalin në pension”, u shpreh Ministri Veliaj.Sipas skemës, do të ketë disa ndarje të pensionit, pension në bazë të kontributeve, pension privat nga derdhja e kontributeve private dhe pension social për njerëzit në nevojë.