Portretet e të famshmëve me pulla e pirunë FOTO

Portreti i futbollistit të famshëm David Beckham ka marrë formë nga pirunë plastik. Hunda e presidentit amerikan Barack Obama e flokët e fizikanit Ajnshtajn janë improvizuar me copa lodrash të fëmijëve.Por, për t’iu dhënë formë imazheve të tyre, një artiste britanike përdor gjithçka që gjen: që nga pullat, rruazat, lugët e makiatove e deri te stolitë jashtë përdorimit dhe kapëset e perdeve.Jane Perkins është artistja e cila që nga viti 2008 mbledh materiale të tilla dhe formëzon portrete personalitetesh. Baza e tyre janë portrete a foto të tyre që janë realizuar nga artistë të njohur. Në stilin e saj ribën edhe kryevepra. “Mona Lisa” e Leonardo da Vincit apo “Luledielli” i Van Gogh janë vetëm dy prej tyre.Iu desh një kohë e gjatë për të kuptuar se kjo është ajo që e bën të lumtur. Që nga fëmijëria ajo ishte e pasionuar pas artit. Për 17 vjet kishte punuar si infermiere, e 10 vjet të tjera i kishte kaluar në shtëpi duke u kujdesur për fëmijët e saj. Ka marrë diplomë për tekstil në “Somerset College of Arts and Technology” në qytetin Taunton të Anglisë.E për provimin përfundimtar ajo kishte bërë një punim ku kishte përdorur për herë të parë objekte të tilla. Që nga ajo ditë, ajo e kishte kuptuar se kjo është rruga që ajo do të ndjekë.