Rusia shton aktivitetin ushtarak pranë Ukrainës
Ushtria ruse po kryen manovra në një numër rajonesh pranë kufirit me Ukraninën, ndërkohë që agjencitë shtetërore anketuese njoftojnë se popullariteti i Presidentit Vladimir Putin është rritur.Ajo që vlen për t’u përmendur për njoftimet e djeshme në Rusi është toni i ngjashëm mes tyre. Në mëngjes, Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi përmes faqes së saj të internetit se kishte në plan të intensifikonte manovrat ushtarake në rajonet Rostov, Belgorod, Kursk dhe Tambov, tre prej të cilëve ndodhen në kufi me Ukrainën.Në një takim në Soçi me Këshillin e tij të Sigurisë, Presidenti Putin theksoi se Rusia nuk është shkaktare e situatës, të cilën e cilësoi si “një krizë e brendshme e Ukrainës”.Rezultatet e anketave që ofron Qendra shtetërore për Studimin e Opinionit Publik tregojnë një rritje të popullaritetit të Presidentit Putin, kryesisht falë qëndrimit agresiv ndaj Ukrainës. Dje popullariteti i tij arriti në 68% - niveli më i lartë i regjistruar që nga inaugurimi i tij në maj 2012.