Indi, bashkëshortja e ministrit vdiq nga mbidoza
Vdekja e bashkëshortes së ministrit indian Shashi Tharoor mund të jetë shkaktuar nga një mbidozë ilaçesh, deklaruan mjekët që kanë kryer autopsinë e saj.Sunanda Pushkar u gjet e vdekur në një dhomë hoteli në kryeqytetin e Indisë, Nju Delhi, ditën e premte. Çifti ishte përfshirë në një debat të ashpër dy ditë më parë pasi disa mesazhe të publikuara në Twitter sugjeronin se ministri kishte një lidhje tjetër.Mjekët e autopsisë gjetën gjithashtu shenja plagësh në trupin e zonjës Pushkar, por nuk saktësuan nëse ato ishin të lidhura me vdekjen e saj.Doktor Amit Gupta, zëdhënës i Institutit të Shkencave Mjekësore në Nju Delhi, tha për BBC se raportet paraprake tregojnë se ka pasur një mbidozë ilaçesh. Raporti i autopsisë i është kaluar ndërkohë një prokurori.Polemika të ashpra shpërthyen të mërkurën e kaluar kur mesazhet private mes ministrit Tharoor dhe gazetares pakistaneze Mehr Tarar u publikuan në profilin e tij në Twitter.Zonja Pushkar, 52 vjeç, tha se kishte qenë pikërisht ajo që kishte hyrë në profilin e bashkëshortit dhe kishte publikuar mesazhet. Ajo e akuzoi gazetaren pakistaneze për përndjekjen e bashkëshortit të saj, akuzë që është mohuar nga zonja Tarar.Por vetëm disa orë më vonë zonja Pushkar dhe zoti Tharoor deklaruan se ishin të lumtur me njëri-tjetrin dhe fajësuan “mesazhe të paautorizuara” për përhapje paniku.