Burgaj pret përfaqësuesin e Qendrës së Hetimit Kriminal të policisë daneze
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, priti në një takim Erik Langhoff, përfaqësues i Qendrës Kombëtare të Hetimit Kriminal të Policisë Kombëtare Daneze, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare dy ditore në Shqipëri.Në këtë takim Langhoff shoqërohej nga oficeri i kontaktit të vendeve Nordike në Tiranë, Ole Drost.Në qendër të takimit të zhvilluar ndërmjet Burgaj dhe Langhoff ishte bashkëpunimi ndërmjet strukturave policore të të dy vendeve në luftën e përbashkët ndaj krimit. Burgaj dhe Langhoff gjatë bisedës së zhvilluar e vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm si mjaft të frytshëm, veçanërisht në goditjen e krimit të organizuar dhe të trafiqeve të paligjshme.Në forcimin e këtij bashkëpunimi një rol mjaft të rëndësishëm ka luajtur dhe Zyra e Oficerit të Kontaktit të Vendeve Nordike në Tiranë, theksoi Burgaj. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit e informoi Langhoff mbi arritjet e Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, goditjen e të gjitha llojeve të trafiqeve të paligjshme, si dhe në drejtim të menaxhimit të integruar të kufijve.Ndërkohë Langhoff, gjatë fjalës së tij evidentoi në mënyrë të veçantë disa prej arritjeve në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet policisë Shqiptare dhe asaj Daneze.Në përfundim të takimit Burgaj dhe Langhoff, shprehën bindjen se niveli i bashkëpunimit ndërmjet strukturave policore të të dy vendeve do të vazhdojë me të njëjtin intensitet dhe në të ardhmen, duke synuar në thellimin e mëtejshëm e shtrirjen e këtij bashkëpunimi dhe në fusha të tjera.