Shitja e “Partizanit”, MM: Në përputhje me vendimet e Komisionit
Ministria e Mbrojtjes u është kundërpërgjigjur akuzave të deputetit të Partisë Socialiste, Taulant Balla për shitjen e pronave të ushtrisë, dhe në mënyrë të vecantë shitjen me 100 mijë euro të ish-klubit "Partizani". Në një deklaratë për mediat, Ministria e Mbrojtjes ka mohuar akuzat e deputetit Balla duke theksuar se ky institucion ashtu sic ka shkurtuar numrin e ushtrisë, duke qenë pjesë e NATO-s, përputhje me këtë do të mbajë dhe pronat që i nevojiten.“Nga deklarata e fundit e z. Balla, kuptojmë që Partia Socialiste dhe deputeti Balla ndjejnë nostalgji për ushtrinë e Enver Hoxhës, por duhet t`u kujtojmë që Shqipëria tashmë është anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut.Për këtë arsye Forcat e Armatosura sot përbëhen nga 11 000 vetë, pra 10 herë më pak se në vitin 1990, kur ishin 110 000 të tillë, fakt që e kemi theksuar jo më larg se dje. Ç`ka do të thotë se Forcat e Armatosura do të mbajnë për përdorim shumë herë më pak prona për të ushtruar detyrat dhe funksionet e tyre kushtetuese dhe ligjore” theksohet në deklaratë.Sipas Ministrisë një pjesë të pronave të ushtrisë i kanë kaluar AKKP-së në mënyrë që një pjesë e tyre të përdoret për kompesimin fizik të ish-pronarëve, ndërsa lidhur me rastin e “Partizanit” MM deklaroi se ka pasur 10 vendime të komisionit për vlerësimin e pronave në favor të ish pronarëve dhe në përputhje me to ka vendosur dhe MM.“Në rastin e ambjenteve të ish-klubit Partizani ka pasur 10 vendime nga Komisioni i Kthimit dhe Kompesimit të Pronave, Qarku Tiranë, në favor të ish-pronarëve të ndryshëm të trojeve ku kanë qënë të vendosura këto ambiente. Institucionet përkatëse kanë zbatuar këto vendime, duke u njohur të drejtën e parablerjes ish-pronarëve, ç`ka përbën mesa duket dhe shqetësim për deputetin Taulant Balla. Ndërkohë që jo më larg se dje, deputeti në fjalë pretendonte krejt të kundërtën. Këshillojmë deputetin Balla që të njihet me aktet ligjore dhe nënligjore, të cilat rregullojnë procedurat e shitjes së pronës publike, përpara deklarimeve të tij që synojnë të dezinformojnë opinionin publik. Në lidhje me rastin konkret, bëjmë me dije se Ministria e Mbrojtjes dhe ministritë e tjera të përfshira në këtë proces, nuk paragjykojnë bindjet politikë të pretenduesve të pronave, të cilitdo krah qofshin” deklaroi MM.