Pajtimi pas 79 vitesh mister, takohen pinjollët e Zogut e Hasan Prishtinës
100-vjetori i pavarësisë mbyll një nga enigmat më të mëdha historike, atë të vrasjes së Hasan Prishtinës në vitin 1933. Trashëgimtari i Ahmet Zogut, Princi Leka II ka shtrënguar duart me pasardhësit e ish-kryeministrit Kosovar të Shqipërisë.Një dyshim 79 vjeçar, korrigjohet si një rishikim i historisë kaq të diskutuar të Mbretit të shqiptarëve. Pinjollët e Hasan Prishtinës kanë qënë mysafirë special të Princit Leka II, i cili e ka konsideruar vetë si çeshtje të mbyllur këtë armiqësi të ndërtuar mbi gënjeshtra historike.Ndërsa pinjolli i familjes Prishtina, Hasan Prishtina tha se ky takim nuk është një pajtim i dy familjeve, por afrim i tyre me lajmotiv interesin kombetar.Ky takim është i pari mes dy familjeve Zogu e Prishtina, të ndara që nga 13 gushti 1933, ku u vra në Selanik ish- kryeministri i Shqipërisë dhe politikani kosovar, Hasan Prishtina.Vrasja e patriotit nga një emigrant pothuajse i panjohur, Ibrahim Çelo, hodhi hije të forta dyshimi se urdhërues i ekzekutimit ishte mbreti Ahmet Zogu. Ky dyshim vinte jo sepse autori Ibrahim Çelo deklaroi një gjë të tillë në organet e policisë greke, por sepse mënyra e vrasjes ishte pothuajse e njëjtë si vrasja e Gurakuqit.