Ish të përndjekurit, PDIU: E pajustifikueshme, indiferenca e shtetit
Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet shpreh mbështetjen e saj për kërkesat legjitime të ish-të përndjekurve dhe kërkon që këto kërkesa mos të bëhen pjesë e debateve politike të ditës por të merren në konsideratë nga të gjithë si një detyrim moral që ne kemi ndaj plagëve të së kaluarës.Në një deklaratë për mediat PDIU thekson se indiferenca e autoriteteve shtetërore është e pajustifikueshme në kushtet e përshkallëzimit të protestës së ish-të përndjekurve, të gjendjes shëndetësore në të cilën gjenden grevistës dhe të aktit dramatik të njërit prej tyre.“PDIU beson se ne kemi përgjegjësi të madhe që t`i japim një zgjidhje përfundimtare dhe të plotë problemit të ish-të përndjekurve dhe prandaj u bën thirrje të gjitha partive politike shqiptare të të gjitha krahëve që të heqin dorë nga pozicionet politike dhe retorika partiake por të angazhohen në mënyrë të sinqertë për një zgjidhje të ndershme dhe të drejtë” thuhet në deklaratë.Pavarsisht prej diskutimeve që e kanë shoqëruar këtë grevë dhe faktit që faktorë të ndryshëm politik shqiptarë janë përpjekur që të përfitojnë prej saj duke e instrumentalizuar atë për interesa meskinë, PDIU vlerëson se kërkesat e tyre janë të drejta dhe se shteti dhe mbarë shoqëria shqiptare duhet të mbaj një qëndrim më të drejtë ndaj viktimave të komunizmit.“Shteti dhe shoqëria jonë ka një borxh të madh ndaj këtij segmenti të shoqërisë dhe do të kishte qenë shumë më dinjitoze që ne të kishim përmbushur të drejtat e tyre pa patur nevojë ata që të ndërmerrnin kësilloj aktesh ekstreme. Ashtu sikurse dënimin ndaj regjimit të kaluar duhet ta kishim bërë vetë pa pritur që Këshilli i Evropës të miratonte një Rezolutë nëpërmjet së cilës kërkoi dënimin e krimeve të komunizmit në shtetet e Evropës Lindore. Kanë kaluar shumë vite që Parlamenti Shqiptar e ka miratuar këtë rezolutë dhe ndërkohë shumë pak është bërë për ta vënë në jetë” thekson PDIU në deklaratë.Ndërkaq PDIU mbështet dhe nismën e FRD për të mbajtur një seancë të jashtëzakonshme parlamentare për të diskutuar rreth cështjes së grevës së urisë së ish të përndjekurve dhe masave konkrete që mund të ndërmerren për të adresuar nevojat dhe kërkesës e njërës prej shtresave më të përvuajtura dhe persekutuara të shoqërisë sonë.“Ne gjithashtu propozojmë që shoqëria jonë të mbaj një qëndrim të prerë dhe pa kompromis ndaj komunizmit dhe që shteti ynë të nis të zbatojë rezolutën e mësipërme dhe të japë mbështetje të mjaftueshme financiare për të vënë në funksion Institutin e Studimeve për Krimet e Komunizmit të krijuar dy vite më parë. Po ashtu në këtë kuadër të merren nisma konkrete edhe për hapjen e dosjeve të komunizmit dhe për një ligj të ri lustracioni dinjitoz të mbështetur në standardet më të larta Evropiane dhe në përputhje me parimet dhe vlerat universale që mishërohen në kushtetutën tone” përfundon deklarata e PDIU-së.