Vdekja e Walker, Vin Diesel: Parajsa fitoi një engjëll të ri
Vdekja e aktorit Paul Walker ka shokuar botën e showbizit. Kolegu i tij në filmin "Fast & Furious", Vin Diesel, shprehu pikëllimin e tij të thellë përmes rrjetit social Instagram.
Diesel, i cili luan rolin e Dominic Toretto në film postoi një fotografi me mikun e tij në Instagram", ku shkruante: "Vëlla do të më mungosh shumë. Jam pa fjalë. Parajsa ka fituar një engjëll të ri. U prefsh në paqe".
Ndërkohë edhe Ludacris, emri i vërtetë i të cilit është Christopher Bridges, shprehet i pikëlluar nga humbja e shokut të tij."Mirësia e shpirtit tënd vërehej në çdo vend. Ne ishim si vëllezër dhe ditëlindjet i kishim vetëm një ditë larg njeri tjetrit. Ti gjithmonë do të kesh një vend në zemrat tona. Trashëgimia jote do të jetojë përgjithmonë", ka shkruar Ludacris në rrjetin social Twitter.Në listën e aktorëve të filmit që shprehën pikëllimin për vdekjen e Walkerit ishte edhe Dwayne Johnson, i cili luan rolin e agjentit Luke Hobbs. "Gjithë forca, dashuria dhe besimi im shkon për familjen Walker në këto çaste të vështira. Të duam vëlla".
40-vjeçari Paul Walker humbi jetën një ditë më parë, pasi makina Porsche Carrera GT me të cilën udhëtonte doli nga rruga dhe u përplas me një pemë, duke shpërthyer më pas në flakë, në Santa Clarita të Los Angelesit. Makina drejtohej nga një shok i aktorit, i cili gjithashtu humbi jetën në aksident.