Gurdon dhe Yamanaka fitues të Nobelit për mjekësi

Dy ekspertët e rritjes së qelizave John Gurdon dhe Shinya Yamanaka kanë fituar sot çmimin “Nobel” në mjekësi. Britaniku John Gurdon dhe japonezi Shinya Yamanaka janë pionerë të kërkimeve për riprodhimin e bërthamës së qelizës.Ndërkohë ndarja e çmimeve Nobel do të vijojë nesër në Stokolm me çmimin në Fizikë, ai për kimi të mërkurën (10 tetor), dhe për ekonomi të hënën e ardhshme (15 tetor). Çmimi Nobel për Paqe pritet të shpallet të premten (12 tetor).Çmimet prestigjioze, të krijuara nga industrialisti suedez Alfred Nobel, u dhanë së pari në vitin 1901. Ndër risitë e këtij viti, është fakti se Fondacioni Nobel uli për 20 për qind çmimin prej 1.2 milionë dollarësh, duke iu referuar trazirave në tregjet financiare.Fondacioni ka thënë se shkurtimi është i nevojshëm në mënyrë që të sigurohen paratë edhe për çmimet e viteve të ardhshme. Çmimi “Nobel” për letërsinë, ku është kandidat edhe shkrimtari Ismail Kadare, pritet të ndahet në datën 11 tetor, pas publikimit të datave të ndarjes së këtij çmimi, sipas fushave përkatëse.Sipas parashikimeve, për vendin e parë konkurojnë shkrimtari kinez Mo Yan dhe ai japonez Haruki Murakami. Në këtë renditje paraprake, shkrimtari Ismail Kadare mbante vendin e katërt.Jo për të parën herë, shkrimtari shqiptar Ismail Kadare është kandidat për këtë çmim që këtë vit ka vënë në garë 46 emra shkrimtarësh. Vitin e kaluar, fituesi i çmimit më të madh në letërsi ka qenë poeti suedez Tomas Transtromer.