SHBA ka përgjuar telefonatat e 35 liderëve

Një raport i ri thekson se Shtetet e Bashkuara kanë përgjuar  telefonat e 35 udhëheqësve botërorë.Raporti në gazetën britanike “Guardian” citon një dokument të vitit 2006, i cili është nxjerrë nga ish-kontraktori i inteligjencës amerikane, Edward Snowden.Raporti nuk përmend emrat e udhëheqësve që janë përgjuar nga Agjencia për Siguri Kombëtare e Shteteve të Bashkuara.Ai thotë se zyrtarët amerikanë i kanë dhënë kësaj agjencie mbi 200 numra telefoni për 35 udhëheqës, të cilët janë siguruar nga Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Mbrojtjes dhe Departamenti i Shtetit.Zbulimi vjen në kohën kur në Gjermani ka shpërthyer zemërimi për shkak të dyshimeve se Shtetet e Bashkuara kanë përgjuar telefonin e kancelares Angela Merkel.Të enjten, Shtëpia e Bardhë nuk e ka mohuar se ka përgjuar telefonin e Merkelit, por ka thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë në të ardhmen.