Përgjimet, Merkel: Duhet të rivendoset besimi BE-SHBA
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se duhet të rivendoset besimi midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.Ajo ka thënë se zemërimi i Berlinit për dyshimet se Uashingtoni ka përgjuar telefonin e saj mobil, nuk ka të bëjë me të personalisht, por me të drejtat e të gjithë qytetarëve në privatësi.Merkel i ka bërë këto komente pasi ka arritur në Bruksel, për të marrë pjesë në një samit të BE-së.Të mërkurën, presidenti i SHBA-së, Barack Obama, ka siguruar Merkelin se agjencitë e inteligjencës amerikane nuk e kanë përgjuar dhe nuk do ta përgjojnë telefonin e saj.Ndërkohë po sot Gjermania ka thirrur ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Berlin, pas dyshimeve se Uashingtoni ka përgjuar telefonin e kancelares Angela Merkel.Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, do të takojë sot të dërguarin e SHBA-së, John Emerson.Ambasada amerikane në Berlin nuk e ka komentuar çështjen.Ministri gjerman i Mbrojtjes, Thomas de Maiziere, ka thënë se spiunimi është “vërtet i keq” nëse konfirmohet.“Amerikanët janë dhe mbeten miqtë tanë më të mirë, por kjo nuk është fare e drejtë”, ka thënë Thomas de Maiziere.Kancelarja Merkel ka kërkuar “shpjegim të plotë” për të gjitha pretendimet, të cilat kërcënojnë të hedhin hije edhe mbi një samit të BE-së, që nis sot në Bruksel.Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, është një nga aleatët më të afërt të Amerikës. Mijëra trupa amerikane janë ende të pozicionuara në Gjermani.