Mbyllen kërkimet në Lampedusa, numri i viktimave arrin në 311 persona
Zhytësit italianë thonë se kanë përfunduar kërkimet mbi varkën që mbante emigrantë nga Afrika, pasi numri i të vdekurve nga aksidenti arriti në 311. Rojet bregdetare italiane thanë se nëntë trupa të tjerë u gjetën të enjten, një javë pasi varka e mbipopulluar u përfshi nga zjarri, përmbys dhe u fundos.Vetëm 155 persona u shpëtuan nga më shumë se 500 emigrantë, kryesisht nga Somalia dhe Eritrea, që ndodheshin në barkën nga Libia.Të paktën 50 pasagjerë janë ende të pagjetur, sipas atyre në bord. Italia, tha të mërkurën se do të mbajë një funeral shtetëror për emigrantët që vdiqën në aksident, por asnjë datë nuk është caktuar ende. Fundosja është një nga fatkeqësitë më të keqia të Italisë. Lampedusa, e cila shtrihet 290 km në brigjet e Afrikës, është një destinacion kryesor për anijet e emigrantëve që i drejtohen Europës.Ndërkohë një javë pas tragjedisë së refugjatëve pranë ishullit italian Lampedusa, Parlamenti i BE-së vendosi që të përmirësojë mbrojtjen teknike të kufijve të BE-së. Sistemi i vrojtimit Eurosur do të hyjë në fuqi në dhjetor.Eurosur ka për qëllim t'i dallojë paraprakisht refugjatët në det të hapur dhe në këtë mënyrë të reagojë për t'i shpëtuar ato në rast rreziku. Satelitë dhe avionë të telekomanduar të futur në një rrjet përmes shkëmbimit të të dhënave duhet të ndihmojnë për lokalizimin e refugjatëve. Përmes këtij sistemi synohet të kufizohen edhe aktivitetet e bandave të kontrabandistëve.Sistemi i integruar i vrojtimit të kufijve do të vihet në funksionim në dhjetor 2013 në ato vende, që përbëjnë kufijtë e jashtëm të BE-së. Një vit më pas Eurosur duhet të vihet në funksionim në të gjitha vendet anëtare të BE-së.