SHBA, vijon ngërçi politik në Kongres

Të premten, në ditën e katërt të mbylljes së pjesshme të qeverisë amerikane, udhëheqësi republikan i Dhomës së Përfaqësuesve u shpreh me tone të forta. Më parë ishte folur se ai mund t’u kundërvihej anëtarëve të partisët së tij për të mos lejuar skadimin e afatit për rritjen e tavanit të borxhit. Ndërkaq, Presidenti dhe nënpresidenti ishin në një lokal të Uashingtonit që po u ofron çmime të reduktuara zyrtarëve të pezulluar nga mbyllja e qeverisë.Rreth 800 mijë punonjës qeveritarë janë pezulluar dhe ata që punojnë nuk pritet të paguhen në kohë. Presidenti Obama ishte dje për vizitë në një lokal pranë Shtëpisë së Bardhë:"Aktualisht ky lokal ofron zbritje 10 për qind për të gjithë punonjësit qeveritarë që janë pezulluar nga puna. Biles u japin edhe një biskotë falas”.Presidenti Obama përsëriti thirrjet drejtuar republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve të lejojnë hedhjen në votë të projekt-ligjit për financimin e qeverisë, duke thënë se është i gatshëm të negociojë, për sa kohë që ata nuk u vënë “revolen në kokë” amerikanëve.Para Kapitolit, ligjvënësit demokratë u takuan me anëtarë të sindikatave të punonjësve qeveritarë që po protestonin ndaj qëndrimit të republikanëve të cilët nuk lejojnë hedhjen në vote të një projekt-ligji të pastër për financimin e qeverisë. Udhëheqësja e grupit të ligjvënësve afrikano-amerikanë Marcia Fudge i përcolli një mesazh Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner:"Kujt i trembeni zoti Boehner? Përse nuk paraqisni një projekt-ligj të pastër për t’u hedhur në votë? Doja t’ju pyesja, nëse dini se jeni Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve?”Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve u takuan dje dhe udhëheqësit e tyre dolën nga takimi duke përsëritur mesazhin se besojnë që programi për kujdesin shëndetësor është i padrejtë për amerikanët dhe duhet të ndryshohet. Kryetari i Dhomës John Boehner:"Kjo s’është lojë. Amerikanët nuk duan të mbyllet qeveria, as unë nuk dua. E vetmja gjë që kemi kërkuar është të zhvillojmë një diskutim lidhur me shqetësimet se ky nuk është një program i drejtë. Duhet të rihapim qeverinë dhe të sjellim drejtësi për amerikanët”.Republikanët thonë se kërkojnë të shtyhet zbatimi i një dispozite të rëndësishme të ligjit e cila thotë se çdo amerikan duhet të blejë sigurime shëndetësore ose të paguajë gjobë. Republikanët shprehen se kjo përbën cënim të të drejtave civile të individit.Për momentin, nuk duket se republikanët dhe demokratët po gjejnë gjuhën e përbashkët për të sjellë kapërcimin e ngërçit politik.