Italia në zi kombëtare, shtyhen kërkimet për gjetjen e të zhdukurve

Italia ka mbajtur të premten ditë zie kombëtare për mbi 100 migrantët afrikanë, që kanë humbur jetën nga mbytja e anijes pranë ishullit mesdhetar të Lampedusës.Aksidenti ka ndodhur të enjten, ndërsa kërkimet për qindra personat e zhdukur janë shtyrë për shkak të kushteve të këqija të motit.Ministri i Brendshëm italian, Angelino Alfano, ka thënë se janë gjetur 111 trupa të pajetë dhe 155 të mbijetuar. Mbi 500 njerëz thuhet të kenë qenë në anije.Alfano ka thënë se kapiteni i anijes, shtetas tunizian, është arrestuar.Ai ka thënë se Italia nuk mund të merret vetë me migrantët që vijnë nga Afrika e Veriut dhe ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të shtojë patrullat në Mesdhe.