SHBA, s’ka marrëveshje për rihapjen e qeverisë amerikane

Në një takim në Shtëpinë e Bardhë mbrëmë, Presidenti Obama dhe udhëheqësit e Kongresit nuk arritën të sheshojnë mosmarrëveshje mes tyre dhe si rezultat mbyllja e pjesshme e qeverisë federale vazhdon.Udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit dolën nga Shtëpia e Bardhë pas takimit një orësh me Presidentin dhe në bazë të deklaratave nuk ka lajme të mira.Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner është shprehur pas takimit se populli amerikan pret nga udhëheqësit e tij të bashkohen për të gjetur mënyra për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes tyre.Boehner përsëriti ofertën e republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve për të zhvilluar negociata për të zgjidhur mosmarrëveshjet.Por ai nuk dha shenja përparimi gjatë asaj që e cilësoi si “bisedë e sjellshme dhe e mirë” me zotin Obama dhe udhëheqësit demokratë, për të cilët tha se duhet të dëgjojnë popullin amerikan dhe të zhvillojnë diskutime serioze.Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat Harry Reid, që dukej qartë se ishte i irrituar dhe i zhgënjyer, tha se zoti Boehner foli gjatë takimit vetëm për negociata për një financim të përkohëshëm të operacioneve qeveritare.Reid theksoi se Presidenti Obama kundërshton prerazi çdo veprim që do të dëmtonte programin për kujdesin shëndetësor, të miratuar tre vjet më parë.“Kjo s’ka ndodhur kurrë më parë. Mund të bëjmë analiza sa të duan, por nuk ka ndodhur kurrë më parë që një parti politike të jetë e gatshme ta çojë vendin në prag të katastrofës financiare dhe thonë se nuk do të paguajmë faturat. Presidenti tha se kjo është e papranueshme për të” tha ai.Reid fajësoi “anëtarët e Tea-Party-t” në Dhomën e Përfaqësuesve se janë të gatshëm ta çojnë vendin drejt bllokimit dhe drejt rrezikut për të mos paguar faturat. Kongresi duhet të rrisë nivelin e tavanit të borxhit brenda 17 tetorit.Në një deklaratë për shtyp Shtëpia e Bardhë theksoi se zoti Obama ia bëri të qartë udhëheqësve të Kongresit se nuk do të negociojë për nevojën e rihapjes së qeverisë amerikane apo për rritjen e tavanit të borxhit.  Shtëpia e Bardhë thekson se Obama shprehu kënaqësi që udhëheqësit ishin në gjendje të angazhoheshin në “diskutime të dobishme” dhe se ai mbetet “optimist se do të triumfojë logjika e shëndetshme”.