Siria, ish-Sekretari i Shtetit mbështet presidentin Obama
Ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Henry Kissinger ka dalë në mbështetje të një sulmi të kufizuar ushtarak në Siri.Duke folur në një nga emisionet më të ndjekura të CNN, të drejtuar nga Christiane Amanpour, Kissinger tha se do të nxisë Kongresin, të autorizojë kërkesën e presidentit amerikan për të përdorur forcën, me sa mundësi të ketë.“Kam qenë kundër ndërhyrjes ushtarake të Amerikës dhe e kam thënë publikisht këtë. Ky rast, gjithsesi, është një përdorim armësh të shkatërrimit në masë, që krijon pasoja përtej Sirisë. Për këtë arsye, si dhe për qëllimin e kufizuar të penalizimit të përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë, dal në mbështetje të kërkesës së presidentit Obama. Do të ishte shumë më e lehtë, nëse kjo kërkesë do të kishte votën formale të OKB-së. Por, si zgjidhje të fundit dhe nëse çështja është e rëndësishme, Shtetet e Bashkuara mund të veprojnë me të vërtet për hir të të gjithëve.Ne s’mund të jemi polici i botës, por mund të jemi zgjidhja e fundit për botën”, tha Kissinger.Pavarësisht mbështetjes së tij për një ndërhyrje të Amerikës, Kissinger tha se kishte qenë i shqetësuar nga vendimi surprizues i presidentit Obma, për ta çuar propozimin e tij përpara Kongresit, në vend që të vepronte pa miratimin e tij, siç bëri presidenti në Libi (edhe pse me mbështetjen e Këshillit të Sigurisë në OKB).“Mendoj se ishte e papërgjegjshme ta hidhje atë për votim në Kongres. Të krijon impresionin se presidenti nuk e ka realisht autoritetin për të vepruar, për sa kohë që nuk i miratohet kërkesa në Kongres, ndaj dhe për këtë arsye ka vonesa të konsiderueshme, për shkak të diskutimit në Kongres” tha Kissinger.Kissinger paralamëroi se alternativa shumë e mundshme, që presidentit Obama t’i refuzohet kërkesa për autorizim nga Kongresi, do të shënonte një precedent tepër të rëndë.“Do të ishte e rrezikshme për botën, nëse presidenti i SHBA-ve do të zmbrapsej në një çështje, që ai e konsideron si tepër të rëndësishme, për të cilën ka nisur edhe një fushatë bindëse”, tha ai.