Lejimi i inspektorëve të OKB, Hague: Vendim i vonuar nga Siria

Siria u vonua në lejimin e inspektorëve në Damask. Kjo ka qenë deklarata e ministrit të Jashtëm britanik, William Hague pas vendimit të qeverisë së Asad për lejimin e inspektorëve të OKB-së për të hetuar rreth sulmeve me armë kimike."Nëse regjimi aktual mendon që dikush tjetër e ka kryer sulmin, atëherë ata do të lejonin çasjen e inspektorëve të OKB-së disa ditë më parë. Ne e kemi kërkuar këtë të mërkurën e javës së kaluar, ata e refuzuan këtë deri më sot, ndërkaq zonën e krimit e kanë bombarduar pandërperërë që natyrisht se mund të ketë shkatërruar dëshmitë. Pra ne tash duhet të jemi realist për atë se çfarë mund të zbulojë ekipi i OKB-së”, ka thënë Hague.Nderkaq ligjvënës të lartë amerikanë nga të dyja partitë kanë bërë thirrje për masa të menjëhershme në përgjigje të provave se në Siri janë përdorur armë kimike.Shtetet e Bashkuara nuk mund të injorojnë vdekjen e qindra sirianëve që besohet se u vranë nga armë kimike, u shpreh ligjvënësi Eliot Engel, demokrati më i lartë në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Cështjet e Jashtme."Duhet të marrim masa dhe duhet të veprojmë pa vonesë”.Zoti Engel i bëri komentet në emisionin Fox News Sunday. Ai ishte i ftuar në këtë emision së bashku me senatorin Bob Corker, republikani më i lartë në Komisionin e Senatit për Cështjet e Jashtme."Ky sulm ka ndodhur. Mendoj se do të përgjigjemi në një mënyrë të kujdesshme”.Askush në Kongres nuk është shprehur për dërgimin e trupave tokësore në Siri. Përfaqësuesi Engel thotë se Shtetet e Bashkuara kanë shumë opsione të tjera pa pasur nevojë të dërgojnë trupa."Unë do të kisha dërguar raketa kruz. Kjo mund të realizohet pa dërguar trupa tokësore, pa vënë në rrezik amerikanët. Mund të shkatërrohen pistat e aviacionit, depot e municionit të regjimit, depozitat e naftës. Mund të goditen forcat ajrore siriane”.Zoti Engel tha se Kongresi duhet të përfshihet në çdo vendim që merret, por shtoi se përfshirja nuk është e nevojshme të bëhet para se të jepen urdhra nga Presidenti. Senatori Corker tha se zoti Obama duhet të kërkojë autorizim nga Kongresi sapo të kthehen ligjvënësit nga pushimet e gushtit. Por ai shtoi se ndryshimi i regjimit në Siri duhet të mbetet përgjegjësi e popullit sirian."Shpresoj se merren masa që nuk do të na largojnë nga politika aktuale që opozita siriane të vihet në krye të zhvillimeve në terren”.Forcat e marinës amerikane i janë afruar Sirisë dhe Sekretari i Mbrojtjes Chuck Hagel tha se ushtria amerikane është e përgatitur të veprojë sapo të marrë urdhër nga Presidenti Obama.Inspektorët shpresojnë të nisin hetimin e provave të hënën, pikërisht në vendin e dyshuar për sulme gjatë kësaj jave me armë kimike, sipas një deklarate të lëshuar nga zyra e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.Forcat rebele dhe regjimi sirian i drejtojnë gishtin njëri-tjetrit për sulmet e së mërkurës. Videot e tmerrshme të pasojave tregojnë trupa të shumtë, përfshi gra dhe fëmijë.