Transformimi i familjes shqiptare, Sinanaj: Frika dhe vështirësitë ekonomike po largojnë të rinjtë nga martesa
Familja shqiptare po kalon një nga transformimet më të mëdha të dekadave të fundit, duke ndryshuar rrënjësisht funksionin e saj dhe mënyrën se si trajtohen marrëdhëniet brenda shtëpisë. Ky realitet i ri social ka nxjerrë në pah një fenomen shqetësues: hezitimin e thellë të djemve dhe vajzave për të krijuar një familje të re.
E ftuar në studion e lajmeve në "Ora News", ishte sociologia Eva Sinanaj, e cila u shpreh se të rinjtë e sotëm po përballen me një frikë të dyfishtë.
Nga njëra anë, ekziston një stepje e dukshme për të marrë përsipër përgjegjësitë jetësore që kërkon martesa dhe ndërtimi i një familjeje. Nga ana tjetër, ky fenomen vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e pamundësive ekonomike dhe vështirësive sociale me të cilat ata përballen çdo ditë.
Kombinimi i këtyre faktorëve ka çuar në shtyrjen e vazhdueshme të moshës së martesës. Kjo vonesë po prodhon një kosto të fshehtë për shoqërinë: individët po mësohen gjithnjë e më shumë me vetminë. Duke krijuar atë që ekspertët e quajnë "zonë komforti", shumë të rinj përfundojnë duke hequr dorë plotësisht nga ideja e martesës. Përballë këtij realiteti, theksohet nevoja e ruajtjes së një ekuilibri, ku vendimi për t'u martuar të mos diktohet nga presioni i jashtëm social apo familjar, por as të mos bllokohet përgjithmonë nga frika dhe rehatia e izolimit të zgjedhur.
" Familja shqiptare po transformohet falë gjithë realitetit në të cilin ne jetojmë. Po ndryshon funksionin e saj dhe po ndryshon mënyrën se si po trajtohet marrëdhënia burrë-grua apo marrëdhënia prind-fëmijë. Këto janë ndryshime të cilat pa diskutim vijnë edhe me ndryshime të tjera sociale të shoqërisë. Por, janë edhe ndryshime që lidhen me individin që është brenda dhe jashtë saj. Nëse më lejoni unë po ndalem pak te kjo pjesa, do të doja t'i thoja të gjithë djemve dhe vajzave shqiptarë të mbajnë një ekuilibër në zgjedhjen e tyre përsa i takon pjesës të martohen ose jo. Ne shpeshherë dëgjojmë të rinj dhe të reja që nuk duan të martohen. Kanë frikë të martohen.
Pikërisht, pikërisht. Por, unë do të thoja këtë që burrat dhe gratë shqiptarë, pra të rinjtë dhe të rejat, as nuk duhet të martohen për shkak të një presioni social dhe familjar.
Unë mendoj që janë të dyja nga pak. Janë të dyja nga pak dhe bëjnë që të shtyhet kjo mosha e martesës dhe duke u shtyrë pastaj, individi mësohet me vetminë, krijon një komfort zonë të caktuar dhe pastaj nuk martohet fare", u shpreh Sinanaj.
Ndiqni intervistën e plotë:

