VIDEO/ Ariana Grande nis një kapitull të ri muzikor me "Hate That I Made You Love Me!"
Ariana Grande ka publikuar videoklipin e shumëpritur të këngës “Hate That I Made You Love Me”, projektin e parë nga albumi i saj i ri Petal, i cili pritet të publikohet më 31 korrik.
Megjithatë, përveç muzikës dhe konceptit artistik, ajo që ka tërhequr më së shumti vëmendjen e publikut ka qenë paraqitja e këngëtares.
Në videoklip, 32-vjeçarja shfaqet me një fustan të verdhë elegant pa mëngë, ndërsa në qendër të historisë është Justin Long, i cili interpreton një personazh të përndjekur nga kujtimet dhe emocionet e së kaluarës. Klipi ndërthur elemente thriller dhe një atmosferë të errët, duke sjellë një anë më dramatike të projektit të ri muzikor.
Menjëherë pas publikimit, rrjetet sociale u mbushën me komente dhe reagime të ndryshme. Një pjesë e fansave shprehën shqetësim për pamjen fizike të artistes, ndërsa të tjerë dolën në mbrojtje të saj, duke kritikuar faktin që vëmendja po përqendrohet te trupi i këngëtares dhe jo te muzika apo puna e saj artistike.
Debati riktheu në qendër të vëmendjes deklaratat e mëparshme të Ariana Grande, e cila ka folur shpesh kundër komenteve mbi pamjen fizike dhe kulturës së gjykimit të trupit në rrjetet sociale.
Artistja ka theksuar më herët se ndihet “më e shëndetshme se kurrë” dhe ka bërë thirrje për më shumë ndjeshmëri kur bëhen komente për paraqitjen e njerëzve.
Pavarësisht diskutimeve, kënga dhe videoklipi i ri kanë ngjallur interes të madh mes fansave dhe kritikëve, duke shënuar nisjen e një kapitulli të ri në karrierën e Ariana Grandes dhe duke rritur pritshmëritë për publikimin e albumit “Petal”.

