Keni përgjegjësi ju për Zvërnecin? Hita nga Vlora: Është një ngjarje që na turpëron të gjithëve në polici

Ngjarja në Zvërnec, Skendër Hita, konferencë për shtyp në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë.

Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, Hita pranoi përgjegjësinë për ngjarjen teksa shtoi se ajo është një ngjarje që turpëron të gjithë trupën e Policisë së Shtetit.

 

"Sot prezantonva drejtorin e komanduar, Edvin Ndreun, i cili do të ketë detyrën e rëndësishme të riorganizimit dhe forcimit të strukturave policore në qarkun e Vlorës. Drejtori i Policisë së Vlorës u shkarkua dy ditë më parë, për shkak të dështimit në menaxhimin e tubimit të datës 30 maj në Zvërnec por edhe për informacionin e pavërtetë që u përçua publikisht për një qytetar që u mor dhe u dhunua publikisht nga rojet e sigurisë private në kantier. I kërkoj Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë që të jetë sa më e hapur dhe sa më profesionale në shërbim të qytetarëve dhe të mos përfaqësohet para publikut me dobësinë e papranueshme të tre ditëve më parë në Zvërnec, ku policia u shfaq e fjetur dhe jo profesionale për të parandaluar marrjen me forcë të qytetarit apo duke mos identifikuar dhe arrestuar në kohë punonjësin që goditi qytetarin. Ajo trupë na turpëron të gjithëve," tha Hita.

Hita gjithashtu u pyet edhe se cila ka qenë arsyeja që nuk ka pasur reagim për Rrjollin ashtu siç reaguat për Zvërnecin.

"Edhe në Rrjoll policia ka qenë prezent në konfliktin që ka pasur aty shoqëria e ndërtimit me banorët e zonës.

Ka qenë prezent, gjithmonë janë përfunduar materialet proceduriale, janë ndjekur dhe kanë qenë në vëmendjen e policisë së shtetit, por nuk ka qenë situata si ato të tmerrshme njëlloj pothuajse si në Zvërnec, ku ai rast ishte vërtet një veprim i tmerrshëm nga ata punonjësit e policisë private.

Prandaj ndoshta dhe masat edhe me ardhjen time kanë qenë më të forta pasi në ngjarjet e Rrjollit nuk kam qenë unë në këtë detyrë, por nëse do isha unë patjetër që do kisha vepruar ", shtoi Hita.

KONFERENCA E KRYEPOLICIT HITA

Në zbatim të mënyrës së re të komunikimit me median dhe publikun, sikundër e kemi bërë me dije, që unë si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, por edhe të gjithë drejtuesit e drejtorive vendore dhe strukturave të tjera policore, duhet të komunikojmë çdo muaj nëpërmjet konferencave për shtyp me median dhe publikun, sot kam zgjedhur të jem në Vlorë, për të komunikuar nëpërmjet jush, drejtpërdrejt me qytetarët dhe me opinionin publik, mbi situatën e krijuar pas ngjarjes së datës 30 maj, në Zvërnec, si dhe për masat që Policia e Shtetit ka ndërmarrë dhe do të ndërmarrë për të garantuar ligjshmërinë, përgjegjshmërinë dhe standardet profesionale që qytetarët presin nga ne.

Ngjarja e ndodhur, mënyra e menaxhimit të saj dhe informacioni i pasaktë i përcjellë publikisht, kanë cenuar standardin që unë kërkoj nga Policia e Shtetit dhe besimin që qytetarët duhet të kenë tek institucioni ynë.

Për këtë arsye kam marrë vendime të menjëhershme që në orët e para pas ngjarjes dhe janë nisur procese të plota hetimore e administrative për të nxjerrë përgjegjësitë përkatëse.

Po ashtu, sot prezantova drejtorin e komanduar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë Drejtues Edvin Ndreu, i cili do ketë detyrën e rëndësishme të riorganizimit dhe forcimit të strukturave policore në qarkun e Vlorës, në funksion të shërbimit ndaj qytetarëve dhe zbatimit të ligjit.

Siç e dini, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë u shkarkua dy ditë më parë, për shkak të dështimit në menaxhimin e tubimit të datës 30 maj, në Zvërnec, por mbi të gjitha për informacionin e pavërtetë që u përçua publikisht, për një qytetar që u mor me forcë dhe u godit nga rojet e sigurisë private në kantier.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka nevojë të nxjerrë mësimet e duhura dhe me të gjitha strukturat policore në varësi të saj duhet të identifikojë problematikat, si edhe të bëjë propozimet përkatëse, qoftë për masa administrative të reja, qoftë kandidatura të reja drejtuese në drejtori dhe komisariate, sipas nevojave.

Menaxhimi i strukturave, i situatave dhe i problematikave nga ana e drejtuesve të drejtorive dhe komisariateve në varësi, integriteti, transparenca dhe shërbimi ndaj qytetarëve, janë elemente bazë të vlerësimit për ta, por edhe domosdoshmëri për të mos humbur besimin dhe mbështetjen e qytetarëve.


I kërkoj Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, që të jetë sa më e hapur, sa më aktive dhe profesionale në shërbim të qytetarëve dhe në zbatim të ligjit, dhe të mos përfaqësohet kurrsesi dhe në asnjë rast para publikut, me dobësinë e papranueshme të tri ditëve më parë në Zvërnec, ku Policia u shfaq e fjetur dhe joprofesionale, duke mos ndërhyrë në kohë për të parandaluar marrjen me forcë të qytetarit apo duke mos identifikuar dhe arrestuar në kohë punonjësin që goditi me grusht qytetarin, ajo trupë na turpëroi të gjithëve.

Prandaj, siç jeni në dijeni, kam urdhëruar që prej pasdites së datës 30 maj, ngritjen e një grupi të posaçëm hetimor, i cili do të hetojë të gjitha veprimet e kryera gjatë protestës si dhe kam urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, e cila ka nisur menjëherë një hetim të plotë dhe të thelluar disiplinor për gjithë zinxhirin komandues të DVP Vlorë.

Po në funksion të nxjerrjes së përgjegjësive, në vijim të veprimeve administrative të kryera nga grupi i posaçëm i Departamentit për Sigurinë Publike, për vlerësimin e zbatimit të përgjegjësive ligjore nga subjektet ShPSF “Myrto Security 1.3A” dhe ShPSF “Major Security”, rezultoi se të dyja subjektet janë konstatuar në shkelje. Për këto shkelje mora vendim për heqjen e licencave të të dyja subjekteve ShPSF.

I jam drejtuar qytetarëve me ndjesë publike për atë informacion të pasaktë, sepse besimi i publikut te Policia e Shtetit është vlera më e rëndësishme dhe cenimi i tij nuk mund të justifikohet në asnjë rast. Por dua ta përsëris edhe këtu sot atë ndjesë, sepse Vlora dhe vlonjatët meritojnë respektin tonë më të madh dhe në asnjë mënyrë atë që panë e përjetuan atë ditë.

Nga ana tjetër, dua te nënvizoj përsëri se Policia e Shtetit ka për detyrë ligjore të garantojë rendin dhe sigurinë e protestuesve të çfarëdo natyre, por po ashtu ka detyrë ligjore të mbrojë integritetin e çdo prone private që zotëron dokumentacion të rregullt ligjor.

Konkretisht, territori i rrethuar rezulton pronë private, me dokumentacion të rregullt hipotekor, si dhe me autorizimin ligjor për rrethimin. Prandaj përfitoj nga rasti t’u drejtohem qytetarëve që protestojnë, që çdo pretendim që kanë mbi pronën apo zhvillimin e saj, ta adresojnë në Gjykatë, sepse drejtësia jo forca e ndan kush ka të drejtë e kush jo në sistemin demokratik.

Veprimet hetimore dhe administrative në lidhje me ngjarjen e datës 30 maj vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe rezultatet përfundimtare do t’i bëhen të njohura opinionit publik.

Standardi im si Drejtor i Përgjithshëm është standardi që kërkojnë qytetarët e ndershëm dhe që kërkon ligji: një polici profesionale, me integritet, garante për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, si dhe të jetës e pronës së qytetarëve.

Ndërkohë, parandalimi i ngjarjeve kriminale dhe zbardhja e atyre të ndodhura më parë, siguria gjatë sezonit turistik, siguria rrugore, rritja e sigurisë detare, mbrojtja nga ndotja akustike, ndjekja në dinamikë e shqetësimeve dhe e denoncimeve të qytetarëve, goditja e armëmbajtjes pa leje, e krimeve mjedisore, kapja e personave në kërkim, parandalimi dhe goditja e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe goditja e trafiqeve të paligjshme, janë në fokus të punës së Policisë së Shtetit përgjatë sezonit turistik veror 2026.

Në përfundim, dua t'iu drejtohem qytetarëve të Vlorës dhe gjithë Shqipërisë:

“Policia e Shtetit do të jetë e pranishme, aktive dhe e vendosur për të garantuar rendin, sigurinë dhe zbatimin e ligjit për këdo, pa dallim.

Asnjë shkelje e ligjit, asnjë cenim i interesit publik dhe asnjë neglizhencë në përmbushjen e detyrës nuk do të tolerohet.

Besimi i qytetarëve fitohet vetëm me punë, profesionalizëm dhe integritet. Ky është standardi që kam kërkuar dhe do të vazhdoj të kërkoj nga çdo punonjës policie në të gjithë vendin. Kush i shërben me ndershmëri qytetarëve do të ketë mbështetjen time të plotë, kush cenon ligjin, standardet profesionale apo besimin e publikut do të përballet me ndëshkimin. Ky është standardi që kam vendosur për veten time dhe këtë standard do të kërkoj pa kompromis nga çdo drejtues dhe punonjës policie në të gjithë vendin.

Ndërsa hyjmë në kulmin e sezonit turistik, prioriteti ynë mbetet siguria e qytetarëve, turistëve dhe komuniteteve lokale. Strukturat e Policisë së Shtetit do të jenë në terren 24/7, për të parandaluar paligjshmëritë, për të reaguar ndaj çdo shqetësimi dhe për të garantuar një sezon të sigurt për të gjithë.