“Izraelit, rusëve, oligarkëve...”, Rama sqaron "Zvërnecin": Këto janë gënjeshtrat që po qarkullojnë
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për debatin e krijuar rreth investimit në Zvërnec, duke deklaruar se edhe ai vetë do të ishte rreshtuar në protestë nëse do të besonte pretendimet që, sipas tij, janë përhapur mbi projektin.
Rama mohoi akuzat se toka po u falej të huajve apo se po cënohej zona e mbrojtur, duke i cilësuar këto narrativa si të pavërteta dhe dezinformuese.
" Do kisha bërë dhe më keq se ju. Po të më thoshin se ajo tokë është e shtetit dhe se shteti po ja fal të huajve. Madje, kam vënë re se është përhapur gjithandej me shumë helm nga pas edhe legjenda se shteti po ja fal atë tokë Izraelit për të sjellë palestinezët në Zvërnec. Po të më thoshin se aty janë futur ca rusë, që në bashkëpunim me oligarkët shqiptarë po rrafshojnë zonën e mbrojtur dhe do ndërtojnë pallate. Po të më thoshin se ajo ishte zonë e mbrojtur dhe qeveria e hoqi nga mbrojtja për t'ia falur tek të huajt, që do vijnë për të shkatërruar biodiversitetin e zonës. Po të më thoshin se në vend të flamingove dhe të bretkosave të ujit, aty do pastrohen paratë e zeza të mafias ndërkombëtare. Dhe të tjera e të tjera nga ato që ju kanë thënë, që pastaj i keni thënë duke i shpërndarë, dhe janë shkruar duke ngritur një dallgë", u shpreh Rama.
