“Ju kuptoj”, Rama reagon për dh*nën në Zvërnec: Do të isha kundër qeverisë po të isha në vendin tuaj

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë lidhur me ngjarjet e ndodhura në Zvërnec dhe incidentin që shkaktoi debat të gjerë publik gjatë protestës kundër investimit në zonë.

Rama tha se e kupton revoltën e qytetarëve pas pamjeve ku një protestues u tërhoq zvarrë nga persona të sigurisë private, duke e cilësuar ngjarjen si të papranueshme.

" Lidhur me situatën e krijuar për investimin e zonës së Zvërnecit. Dhe dua ta nis me një mesazh të drejtpërdrejtë për të gjithë ata që janë revoltuar dhe janë rreshtuar edhe kundër meje personalisht, pasi panë aktin e neveritshëm të tërheqjes zvarrë të njërit prej protestuesve në Zvërnec. Ju kam dëgjuar, ju kam lexuar dhe ju kuptoj shumë mirë. Madje ju siguroj që në vendin tuaj edhe unë po njësoj do revoltohesha dhe do rreshtohesha kundër qeverisë dhe kundër kryeministrit sidomos. Sepse do të më dukej e tmerrshme që disa roje private sigurie, në sytë e policisë së shtetit tim, pas një gardhi me tela me gjemba, të ulërinin si kafshë dhe të merrnin nga jashtë brenda një njeri në të drejtën e vet, ta tërhiqnin zvarrë nëpër plazhin e rrethuar. E pastaj policia të thoshte që i zvarrituri u fut vetë në pronën private dhe në këtë mënyrë ta relativizonte dhunën, ndërkohë që duhet t'i kishte arrestuar aty në vend ata që e morën zvarrë protestuesin", u shpreh Rama.