Bisedimet SHBA-Iran në pikë kritike/Trump: Marrëveshja po vonohet por nuk jemi duke nxituar

Donald Trump ka bërë të ditur se Irani ka pranuar të mos zhvillojë armë bërthamore, ndërsa bisedimet mes dy vendeve për një marrëveshje paqeje vijojnë.

Në një intervistë për Fox News, Trump tha se negociatat po ecin ngadalë dhe se Irani duhet të garantojë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një nga pikat më të rëndësishme të tregtisë globale të naftës.

Ai u shpreh se nuk ka nxitim për një marrëveshje, duke shtuar se një proces i nxituar mund të çojë në një rezultat të dobët.

Trump foli edhe për situatën ushtarake, duke thënë se kapacitetet detare dhe ajrore të Iranit janë goditur rëndë gjatë zhvillimeve të fundit, ndërsa për forcat tokësore tha se kanë mbetur kryesisht të paprekura.

Ndërkohë, sipas New York Times, administrata amerikane ka rishikuar kushtet e një marrëveshjeje të mundshme me Iranin, duke shtuar kërkesa më të rrepta. Sipas burimeve, ndryshimet synojnë të përshpejtojnë procesin e negociatave dhe të ushtrojnë presion mbi Teheranin për pranimin e një kornize të re marrëveshjeje.

Zyrtarë amerikanë citojnë gjithashtu pakënaqësi nga vonesat e Iranit në përgjigje të propozimeve të SHBA-së, ndërsa negociatat mbeten ende të hapura.