Rusi/ Droni ukrainas godet centralin e Zaporizhias, shpërthim në objektin bërthamor

Rusi/ Droni ukrainas godet centralin e Zaporizhias, shpërthim në
Kompania ruse “Rosatom” ka bërë të ditur se një dron ukrainas ka goditur termocentralin bërthamor të Zaporizhias, në Ukrainën juglindore, duke shkaktuar një shpërthim dhe dëmtime në një nga ndërtesat ndihmëse të objektit.

Sipas njoftimit, droni ka goditur ndërtesën e turbinës së njësisë nr. 6 të centralit, duke hapur një vrimë në mur.

Autoritetet ruse thonë se pajisjet kryesore nuk janë dëmtuar.

Nga pala ukrainase nuk ka pasur ende reagim për ngjarjen.

Rosatom e ka cilësuar sulmin si të qëllimshëm, ndërsa ka paralajmëruar për rrezikun që vjen nga goditjet e përsëritura pranë një objekti bërthamor.

Centrali i Zaporizhias, më i madhi në Evropë, është nën kontrollin rus që nga marsi i vitit 2022, por ndodhet pranë vijës së frontit dhe ka qenë disa herë objekt sulmesh gjatë luftës.