Ebola përhapet në Kongo/ OBSH 'lufton' sëmundjen me vaksina dhe trajtime të reja
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka publikuar udhëzime të reja për trajtimet dhe vaksinat që mund të përdoren për të përballuar shpërthimin e Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos, ku po qarkullon varianti Bundibugyo i virusit.
Rekomandimet u prezantuan gjatë vizitës së kreut të OBSH-së në Bunia, në provincën Ituri, që aktualisht është një nga zonat më të prekura nga shpërthimi.
Sipas OBSH-së, disa trajtime me antitrupa dhe barna antivirale po konsiderohen për përdorim te pacientët e konfirmuar, përfshirë terapi me antitrupa monoklonalë dhe ilaçe si remdesivir. Po ashtu po shqyrtohen edhe kombinime të ndryshme trajtimesh për të rritur efektivitetin ndaj virusit.
Për personat që kanë pasur kontakte me të infektuarit, rekomandohet përdorimi i disa ilaçeve antivirale si masë parandaluese, ndërsa gjurmimi i kontakteve mbetet i vështirë në disa zona për shkak të kushteve në terren.
Sa i përket vaksinave, OBSH po vlerëson disa opsione në zhvillim. Një prej tyre konsiderohet vaksina rVSV Bundibugyo, ndërsa një tjetër kandidat është vaksina ChAdOx1 Bundibugyo, e cila mund të testohet në muajt e ardhshëm, por ende kërkon studime shtesë për sigurinë dhe efektin e saj.
OBSH ka bërë të ditur se vaksina e përdorur më parë kundër një varianti tjetër të Ebolës nuk rezulton efektive ndaj këtij lloji që po përhapet aktualisht.
Ndërkohë, organizata po bashkëpunon me autoritetet lokale dhe rajonale për të përshpejtuar testimet dhe përmirësuar reagimin ndaj shpërthimit.
Sipas të dhënave të fundit, në vend janë regjistruar mbi një mijë raste të dyshuara dhe qindra humbje jete, ndërsa autoritetet po përqendrohen te ndalimi i përhapjes së mëtejshme të sëmundjes përmes izolimit dhe kontrollit të kontakteve.

