Trump “shtrëngon lakun” ndaj Iranit, armëpushimi vihet në rrezik nga kushtet e reja të Uashingtonit

Presidenti amerikan Donald Trump i ka dërguar Iranit një propozim të ri për armëpushim, ndërsa bisedimet mes dy vendeve po vazhdojnë për t’i dhënë fund konfliktit.

Sipas mediave amerikane, plani i ri përmban kushte më të forta se propozimi i mëparshëm. Megjithatë, nuk janë bërë publike detajet e ndryshimeve që Uashingtoni ka vendosur të përfshijë në draftin e ri.

Një nga çështjet kryesore mbetet programi bërthamor iranian. Shtetet e Bashkuara kërkojnë që Irani të mos ketë mundësi të zhvillojë armë bërthamore dhe të heqë dorë nga rezervat e uraniumit të pasuruar në nivele të larta.

Pjesë e kërkesave amerikane është edhe rihapja e ngushticës së Hormuzit, një rrugë shumë e rëndësishme për transportin detar dhe tregtinë ndërkombëtare, e cila është bllokuar që nga fillimi i konfliktit.

Burime pranë negociatave bëjnë të ditur se kushtet e reja mund të zgjasin procesin e arritjes së një marrëveshjeje. Raportohet gjithashtu se Trump po shqyrton ende draftin përfundimtar dhe nuk ka dhënë miratimin e tij përfundimtar.

Nga Shtëpia e Bardhë është bërë e qartë se çdo marrëveshje me Teheranin do të pranohet vetëm nëse plotësohen kushtet që administrata amerikane i konsideron të panegociueshme.