Stuhia e fuqishme rëre përfshin Indinë/ Erërat 70 km/h kthejnë ditën në errësirë dhe 'paralizojnë' qarkullimin
Një stuhi e fortë rëre ka përfshirë pasditen e sotme disa zona të Indisë, duke sjellë kushte të vështira dhe dukshmëri shumë të ulët.
Fenomeni është regjistruar rreth orës 14:00 me kohën lokale, ndërsa më të goditura kanë qenë zonat e Churu-t dhe rrethinat e tij. Qielli është mbuluar nga pluhur i dendur dhe dita është errësuar pothuajse si natë.
Për shkak të kushteve atmosferike, qarkullimi është vështirësuar ndjeshëm. Disa automjete janë ndalur, ndërsa të tjera kanë lëvizur me shpejtësi minimale.
Shoferët kanë përdorur dritat edhe gjatë ditës për shkak të dukshmërisë së kufizuar.
Sipas të dhënave meteorologjike, erërat kanë arritur deri në rreth 70 km/h. Stuhia ka zgjatur rreth gjysmë ore, por ka mjaftuar për të krijuar probleme në lëvizje dhe për të detyruar banorët të qëndrojnë në ambiente të mbyllura.
Autoritetet lokale po ndjekin situatën, ndërsa pritet përmirësim i kushteve gjatë orëve në vijim.

