Shpërthimi i Ebolës në Afrikë/ OBSH shpall emergjencë botërore, zonat e a*matosura vështirëson ndihmat

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka mbërritur në Bunia, në lindje të Republikës Demokratike të Kongos, zonë që është kthyer në epiqendër të shpërthimit të ri të Ebolës.

OBSH ka shpallur emergjencë globale shëndetësore pas përhapjes së virusit në provincën Ituri, ku raportohet edhe numri më i madh i rasteve.

Sipas autoriteteve, shpërthimi i ri është regjistruar më 15 maj dhe po prek një vend me mbi 100 milionë banorë.

Tedros ndodhet në një vizitë dyditore në terren, ku pritet të takohet me autoritetet lokale dhe ekipet mjekësore. Ai ka deklaruar më herët se qëllimi i vizitës është të dëgjojë situatën nga afër dhe të ndihmojë në menaxhimin e përhapjes së sëmundjes.

Sipas OBSH-së, kushtet në zonë e bëjnë reagimin shumë të vështirë.

Në shumë zona rurale mungojnë shërbimet shtetërore, ndërsa prania e grupeve të armatosura e vështirëson edhe më shumë aksesin e ekipeve shëndetësore.

Autoritetet shëndetësore thonë se situata reale mund të jetë më e rëndë se sa raportet zyrtare, për shkak të mungesës së testimeve laboratorike dhe kapaciteteve të kufizuara në terren.

OBSH kujton se Ebola ka shkaktuar mijëra viktima në Afrikë ndër vite dhe mbetet një nga sëmundjet më të rrezikshme në rajon, sidomos në vendet me infrastrukturë të dobët shëndetësore.