Një çast, një shkrepje aparati dhe një shkujdesje, që u kurorëzua me Çmimin Pulitzer më 1958

Një foto, vetëm një moment që nuk mund të rikthehet më tek ai pikëtakim me mrekullinë.

Aq, vetëm aq për të kuptuar mënyrën se si çastet e befta krijojnë thërmija të shkëlqimta ngjizjeje të një realiteti galaktik.

Ka në zakonshmëri çaste që nuk paralajmërohen nga asgjë, thjeshtë ndodhin.

Nuk lindin nga skenarët e sendërtuar nga vlime mendimi dhe idesh, as nga përgatitja, por shpërthejnë krejt natyrshëm në rrjedhën e jetës, si një frymëmarrje e papritur e së vërtetës.

Janë ato momente të rralla kur koha ndalet për një të qindtën e sekondës dhe njeriu arrin të prekë përjetësinë.

Një i tillë u ngjiz më 10 shtator 1957, në rrugët e Washington-it, aty ku fotografia nuk po kërkonte lavdi, por thjesht po ndiqte ritmin e zakonshëm të një parade festive të Shoqatës së Tregtarëve Kinezë.

Mes zhurmës së qytetit, tingujve ceremonialë dhe lëvizjes së vrullshme të turmës, syri i mprehtë i fotografit të “Washington Daily News”, William C. Beall, u ndal mbi një skenë që në dukje ishte krejt e zakonshme, por që brenda saj mbante gjithë poezinë e njerëzores.

Një djalosh i vogël, i pushtuar nga magjia e vallëzimit të luanit kinez, kishte lënë trotuarin për t’iu afruar mrekullisë që i drithëronte sytë. Në pafajësinë e tij fëminore nuk ekzistonte rreziku, nuk kishte kufij apo ndalim, por vetëm kureshtja e kulluar e një shpirti që kërkonte ta prekte nga afër çudinë. Përballë tij qëndronte një polic shtatlartë, serioz në detyrë, por i mbushur me një mirësi të heshtur, i cili me qetësi dhe kujdes po i shpjegonte se rruga nuk ishte vendi ku duhej të ndalej.

Në atë çast, Beall nuk pa thjesht një polic dhe një fëmijë. Ai pa kontrastin e bukur mes autoritetit dhe pafajësisë, mes rendit dhe ëndrrës, mes botës së rritur dhe habisë së fëmijërisë. Dhe pikërisht aty, në atë ekuilibër të brishtë njerëzor, fotografia u bë art.

“Papritur, e pashë fotografinë, drejtova kamerën dhe shtypa butonin,”, do të kujtonte më vonë ai.

Ishte vetëm një klikim. Një fraksion sekonde. Por mjaftoi që koha të mbetej e ngrirë përgjithmonë në një imazh ku njerëzorja shfaqet në formën e saj më të pastër. Fotografia nuk triumfoi vetëm për mjeshtërinë teknike apo për kompozimin e përkryer, ajo fitoi sepse mbante brenda vetes një të vërtetë universale, se kujdesi, mirësia dhe pafajësia janë gjuhë që kuptohen nga të gjithë.

Kur kjo fotografi u vlerësua me Çmimin Pulitzer në vitin 1958, ajo tashmë kishte kapërcyer kufijtë e gazetarisë. Ishte shndërruar në një dëshmi të fuqisë së artit për të shpëtuar nga harresa ato çaste që ndryshe do të zhdukeshin pa lënë gjurmë. Një imazh i vetëm arriti të tregojë më shumë për natyrën njerëzore sesa faqe të tëra shpjegimesh.

Ky mbetet një nga ato momente që na kujton se fotografia nuk është vetëm dritë, kënd dhe kompozim. Ajo është intuitë, shpirt dhe aftësia për të parë atë që të tjerët e kalojnë pa e vënë re. Sepse aparati fotografik nuk fikson vetëm pamjen, ai ruan drithërimën e jetës në çastin kur ajo bëhet e pavdekshme.

Përgatiti: Albert Vataj