SIGURIA DHE AKSIDENTET NË PUNË! Ponari: Përfitime dypalëshe nga kombinimi i sigurimeve
SIGAL, EXTRABIS dhe EPTA organizuan një konferencë mbi sigurinë dhe aksidentet në punë, me pjesëmarrjen e ekspertëve kryesorë të fushës, ku nw dy panele diskutimi u trajtuan standardet e sigurisë, legjislacioni dhe masat për mbrojtjen e punonjësve.
Perspektivën e sigurimeve e solli z. Avni Ponari, CEO i SIGAL Insurance Group.
PONARI: “Sot në botë, aksidentet personale pothuajse kudo janë të siguruara. Nuk mund të mendosh që dikush të jetë i punësuar diku dhe të jetë i pasiguruar. Së pari, është shumë e rëndësishme që vetë i punësuari të marrë masat e tij dhe t’i kërkojë punëdhënësit jo vetëm sigurimet shoqërore për pensionin, por edhe sigurimin nga aksidentet personale. Punëdhënësi është i detyruar ta bëjë këtë, edhe për të mbrojtur veten nga proceset ligjore.”
Çmimi i sigurimit të punonjësve nga aksidentet është në varësi të mbulimit financiar që kërkohet dhe janë punëmarrësit dhe punëdhënësit ata që e caktojnë:

PONARI: “Siguracionin e zgjedh vetë, ai fillon nga vlera minimale deri në 1 milion euro. Nuk ka limit të sipërm për t’u siguruar. Vlerën nuk e cakton kompania e sigurimeve. Vlerën e punonjësve në një kompani e cakton punëmarrësi së bashku me punonjësit.”
Përveç sigurimit të punonjësve nga aksidentet, z. Ponari solli në vëmendje edhe dy llojet e tjera të sigurimeve që sipërmarrësit duhet t’i mbajnë parasysh.

PONARI: “E njëjta gjë vlen edhe për sigurimin e projekteve të mëdha, si rrugët, kantieret, uzinat, fabrikat dhe qindra institucione të tjera, të cilat janë të gjitha të sigurueshme. Ato kanë dy lloje sigurimesh: sigurimin e vetë objektit, që është shumë i rëndësishëm dhe zgjidhet nga secili vetë, si edhe sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta.”
Z. Ponari, CEO i SIGAL, apeloi edhe për më shumë humanizëm nga sipërmarrësit. Ai sugjeroi kombinimin e disa llojeve të sigurimeve, që sjellin përfitime si për punëdhënësin edhe për punëmarrësin, të tilla si: sigurimi nga aksidentet, sigurimi i pronës, sigurimi i përgjegjësisë, deri edhe kontribute nxitëse për pensione private si shpërblime besnikërie, të cilat mund të investohen në fonde pensioni.

