Fatkeqësitë natyrore, Nufi: Miratohen 650 milionë lekë për 44 projekte për mbrojtjen civile
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi bëri me dije sot, se në mbledhjen e Qeverisë u miratuan projektet fituese nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në mbështetje të njësive të vetëqeverisjes vendore për përballimin e fatkeqësive natyrore.
Gjatë një deklarate për mediet, në përfundim të mbledhjes së qeverisë, Nufi u shpreh se, “lista e projekteve fituese për vitin 2026 është konsoliduar në shkurt të këtij viti. Fondi parashikon që deri në fund të këtij viti të jenë gjithsej 44 projekte fituese, 26 prej tyre janë projekte infrastrukturore, ndërsa 18 lidhen me blerjen e pajisjeve apo mjeteve që u nevojiten bashkive për përballimin e fatkeqësive natyrore”.
Nufi theksoi se vlera totale e financimit arrin në 650 milionë lekë, ndërsa pjesa tjetër do të financohet gjatë vitit 2027.
“Me këtë vendim ulim riskun nga fatkeqësitë dhe forcojmë ekosistemin e mbrojtjes civile”, tha ai.
Ministri apeloi për rritjen e vigjilencës me afrimin e sezonit veror dhe temperaturave të larta.
“Thirrja ime, me afrimin e periudhës së thatësirës dhe temperaturave të larta të verës, është që të kemi një vëmendje të shtuar në të gjithë territorin, veçanërisht në zonat e ndjeshme ndaj rritjes së temperaturave, si pyjet, kullotat etj.”, u shpreh ai.
Ai kujtoi se Ministria e Mbrojtjes ndërhyn në fazën e tretë të menaxhimit të emergjencave civile.
“Fillimisht janë prefekturat, më pas Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile me Forcat e Armatosura dhe më pas Ministria e Mbrojtjes, që përballojnë emergjencat civile. Thirrja ime është që të jemi të vëmendshëm, të mbrojmë pyjet dhe territorin, në mënyrë që të kemi sa më pak raste zjarrvënieje apo dëmtimi të kullotave dhe pyjeve gjatë sezonit të zjarreve”, tha Nufi.

