“Tirana Cash& Carry”, baza e furnizimit dhe falsifikimit të produkteve te skaduara të “Big Market”
Prej shumë vitesh, rrjeti "Big Market" i deputetit socialist Vullnet Sinaj tregton produkte të skaduara dhe me risk për shëndetin e qytetarëve, për të cilat është ndëshkuar disa herë me gjoba e konfiskime nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe agjencitë e shëndetit publik.
Lidhja me pushtetin dhe privilegji si sponsor i PS-së jo vetëm nuk ka ndaluar pronarin e "Big Market", Vullnet Sinaj, të shesë produkte të skaduara e të rrezikshme, por qysh prej vitit 2017, kur u bë deputet, institucionet e sigurisë ushqimore po e lejojnë të kryejë edhe krim ushqimor.
Sipas raporteve të Antikrimit, magazinat e firmës "Tirana Cash&Carry" sh.p.k. janë baza e grumbullimit, falsifikimit dhe shpërndarjes në dyqanet "Big Market" të ushqimeve dhe produkteve të skaduara, pa vlerë ushqyese, pa origjinë prodhimi dhe me marka të falsifikuara, sikur gjoja janë produkte të importuara nga kompanitë e njohura në vendet e BE-së.
Firma "Tirana Cash&Carry" sh.p.k. u krijua në muajin prill 2006 nga Vullnet Sinaj me 51% aksione, Albert Janina me 39% dhe Edmond Gjikoka me 10%; ndërsa më 9 qershor 2008 dhe më 9 korrik 2009, këta ia shitën aksionet Vullnet Sinajt.
Magazinat e firmës "Tirana Cash&Carry" janë në fshatin Gropaj të Njësisë Administrative Vaqarr, ku mblidhen produkte që sillen nga importi, nga fabrika e prodhues ilegalë brenda vendit, dhe dërgohen në dyqanet "Big Market".
Në ato magazina grumbullohen dhe produktet e "Big Market" që u skadon afati i konsumit, ku nga persona të punësuar me kohë të pjesshme dhe me 2 ditë në javë, falsifikohen datat e skadencave dhe markat dhe çohen përsëri në dyqanet "Big Market".
Në objektin e aktivitetit të firmës "Tirana Cash&Carry", deputeti socialist Vullnet Sinaj ka deklaruar import, eksport e tregtim artikujsh të ndryshëm, ndërsa si aktivitet bazë ka deklaruar ndërtime, gërmime dheu, prodhim betoni, materiale inerte, bitumi, ndërtim rrugësh, sinjalistikë e punime hekurudhore.
Ndërsa referuar listës së punonjësve në regjistrin tatimor, rezulton se aktiviteti është vetëm për magazinim dhe përpunim ushqimesh dhe produktesh të tjera konsumi që shiten në rrjetin e dyqaneve "Big Market".

Prej datës 23 mars 2022, administrator i kompanisë "Tirana Cash&Carry" të deputetit Vullnet Sinaj është Drini Nikolla, ish-Drejtor i Policisë Shtetërore "Illyrian Guard" në vartësi të Ministrisë së Brendshme.
Por drejtori Drini Nikolla i kompanisë që falsifikon skadencat e ushqimeve dhe produkteve që tregtohen në "Big Market" ka qenë dhe Drejtor i Përgjithshëm i Policisë Ushtarake në vitet 2005-2008, i cili falsifikonte raportet e transportit, demontimit dhe ndryshimit të markës e trafikimit të municioneve nga grupi "Berisha-Delijorgji-Diveroli".
Ndërsa tani, Drini Nikolla, i famshmi i Gërdecit dhe i ryshfeteve në policinë "Illyrian Guard" të Ministrisë së Brendshme, është bashkuar me deputetin e PS-së, Vullnet Sinaj, në krimin ushqimor me produktet e "Big Market".
Por nuk ka asnjë veprim nga policia e drejtësia, megjithëse agjencitë gjurmuese kanë raportuar për këtë aktivitet falsifikimi të origjinës, markave, cilësisë dhe skadencave të ushqimeve e produkteve të tjera në magazinat e firmës "Tirana Cash&Carry" në fshatin Gropaj-Vaqarr, që prej andej dërgohen në dyqanet "Big Market".
/ Marrë me të njëjtin titull nga "Pamfleti.net"

