'SMART CITY' DHE TRANSPORTI/ Demo: 160 mijë m² parkime në 12 bashki, potencial për rreth 15 mijë poste parkimi

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, ka prezantuar pas mbledhjes së qeverisë një paketë të re masash për zhvillimin urban dhe forcimin e identitetit lokal në qytetet dhe bashkitë e vendit.

Plani synon ndërhyrje në disa drejtime, nga infrastruktura dhe transporti publik, te zhvillimi ekonomik lokal dhe hapësirat komunitare.

“Programi fokusohet në ndërtimin e muzeve lokalë që lidhen me identitetin e zonave, duke marrë parasysh edhe zhvillimin e turizmit dhe forcimin e identitetit lokal në territor.”-u shpreh Demo.

Një nga pikat kryesore është krijimi i parkimeve të reja në 12 bashki, me një sipërfaqe rreth 160 mijë metra katrorë dhe deri në 15 mijë vende parkimi, me fokus në zonat me fluks të lartë qytetarësh dhe turistik.

“Janë evidentuar 160 mijë metra katrorë në 12 bashki, me potencial për rreth 15 mijë poste parkimi, sidomos në zona me intensitet urban dhe turistik.”-nënvizon ministri.

Plani përfshin edhe rigjenerimin e ish-hapësirave industriale, të cilat do të kthehen në ambiente sportive, zona rekreative dhe hapësira për zhvillimin e start-up-eve dhe bizneseve të reja.

“Ish-fabrikat dhe hapësirat e pashfrytëzuara do të kthehen në asete komunitare, me fokus te sporti, rekreacioni dhe zhvillimi ekonomik lokal përmes start-up-eve.”- tha Demo.

Një tjetër drejtim është transporti publik, ku parashikohet futja e autobusëve elektrikë në disa bashki pilot, si dhe përmirësimi i menaxhimit të mbetjeve dhe standardeve të riciklimit në përputhje me Bashkimin Evropian.

Po ashtu, në plan përfshihen edhe 140 hapësira të reja sportive dhe rekreative, si dhe forcimi i kapaciteteve të bashkive për menaxhimin e emergjencave dhe infrastrukturës lokale.

Qeveria e paraqet këtë paketë si një hap drejt modernizimit të qyteteve dhe zhvillimit të balancuar në të gjithë territorin e vendit.