Mbi 10% e shqiptarëve në kushte ekstreme/ Shifrat e INSTAT zbulojnë realitetin ekonomik: Pamundësi për ushqim, ngrohje dhe pagesën e energjisë

Mbi 245 mijë shqiptarë jetojnë në varfëri të skajshme dhe e kanë shumë të vështirë të përballojnë jetesën e përditshme. Të dhënat e publikuara nga INSTAT, të përditësuara sipas Censit të Popullsisë 2023, tregojnë se më shumë se 10% e popullsisë në vend përballet me mungesa të mëdha ekonomike.

Sipas Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës, familjet që thonë se jetojnë “me shumë vështirësi” kanë zbritur nga 18% në vitin 2021 në 10.2% në vitin 2024.

Megjithatë, ndryshimi lidhet kryesisht me përllogaritjen e re të popullsisë pas Censusit dhe jo me një përmirësim real të kushteve të jetesës.

Familjet që jetojnë në varfëri të skajshme nuk arrijnë të përballojnë as shpenzimet më bazike.

Shumë prej tyre nuk kanë kursime për emergjenca shëndetësore apo riparime të thjeshta në banesë.

Një pjesë përballen vazhdimisht me vonesa në pagesën e energjisë elektrike, ujit apo qirasë, duke rrezikuar ndërprerjen e shërbimeve.

Vështirësitë ekonomike ndikojnë edhe te ushqimi dhe kushtet e jetesës. Shumë familje nuk sigurojnë dot një vakt të plotë me mish apo peshk çdo dy ditë, ndërsa gjatë dimrit e kanë të pamundur të mbajnë banesën ngrohtë. Në shumë raste mungojnë edhe pajisjet më të nevojshme shtëpiake si frigoriferi apo lavatriçja.

Të dhënat tregojnë se kjo shtresë e popullsisë mbetet ndër më të goditurat ekonomikisht dhe ka nevojë për mbështetje të drejtpërdrejtë dhe politika sociale më të fokusuara./Monitor