Ujërat e zeza përzihen me ujin e pijshëm, banorët e fshatit Burim në Maqellarë: Po helmohemi
Nga OraNews Përditësimi i fundit 28 Maj 2026, 13:52
Mungesa e rrjetit të kanalizimeve ka shkaktuar problematika madhore në fshatin Burim të Maqellarës, ku ujërat e zeza kanë dalë në sipërfaqe, duke u shndërruar në rrezik infeksionesh për banorët.
Ata thonë se janë të detyruar të konsumojnë ujë nga puset që i kanë hapur në oborret e shtëpive dhe rrezikojnë të kontaminohen nga ujërat e ndotura.
Banorët shprehen se prej vitesh kanë kërkuar nga pushteti vendor ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve për ujërat e zeza, por deri tani nuk është gjetur asnjë zgjidhje prej tyre.
Situata nga shpërthimi i ujërave të ndotura në fshatin Burim përkeqësohet sidomos gjatë ditëve të nxehta të verës, ku era e rëndë kundërmon zonën, kurse banorët i druhen përhapjes së ndonjë epidemie.
