Ebola në Kongo përhapet masivisht, Uganda mbyll kufijtë nga frika e infektimeve të mëtejshme
Numri i rasteve të dyshuara për Ebola në Republikën Demokratike të Kongos po rritet me shpejtësi dhe ka arritur në mbi 1,077 raste, sipas autoriteteve shëndetësore në Kinshasa.
Ministria e Shëndetësisë njofton se 121 raste janë konfirmuar në laborator dhe deri tani janë regjistruar 17 viktima. Megjithatë, autoritetet shprehen se numri i vërtetë i humbjeve mund të jetë më i lartë, për shkak të vonesave në diagnostikim dhe raportim.
Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se shpërthimi mund të jetë më i gjerë se sa tregojnë shifrat zyrtare, sidomos në provincën Ituri, ku situata është e vështirë edhe për shkak të konflikteve të armatosura që pengojnë ekipet mjekësore.
Rastet e lidhura me epideminë janë shfaqur edhe në Ugandë, ku janë konfirmuar disa të infektuar dhe një viktimë. Për këtë arsye, autoritetet atje kanë vendosur kufizime në kufi me Kongon dhe karantinë 21-ditore për personat që hyjnë nga zonat e prekura.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se po ndjekin nga afër situatën dhe po marrin masa për të parandaluar përhapjen e virusit, përfshirë edhe plane për izolim të rasteve të dyshuara jashtë Afrikës.
Ekspertët shpjegojnë se Ebola përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet trupore të personave të infektuar dhe se varianti aktual është një nga më të rrezikshmit, me një shkallë vdekshmërie që mund të arrijë deri në 50%.
Autoritetet shëndetësore ndërkombëtare po punojnë për të frenuar përhapjen, ndërsa situata mbetet e brishtë për shkak të mungesës së stabilitetit në rajon.

