Pas tre muajsh pa internet/ Miliona iranianë ende përballen me lidhje të dobët dhe kufizime digjitale
Miliona iranianë kanë kaluar gati tre muaj në izolim digjital pas ndërprerjes së internetit nga autoritetet iraniane gjatë tensioneve dhe luftës me SHBA-në dhe Izraelin.
Edhe pse qasja në internet është rikthyer pjesërisht, shumë qytetarë thonë se lidhja mbetet e dobët, e censuruar dhe e pamjaftueshme për komunikim normal.
Ndalimi i plotë i internetit u vendos më 28 shkurt, në kulmin e sulmeve dhe tensioneve ushtarake.
Për 88 ditë, miliona njerëz në Iran mbetën pothuajse të shkëputur nga bota, pa mundësi komunikimi me familjarët jashtë vendit dhe me vështirësi edhe për shërbimet më bazike online.
Shumë iranianë tregojnë se gjatë kësaj periudhe nuk funksiononin as email-et dhe aplikacionet e komunikimit. Disa prej tyre thanë se izolimi krijoi ankth dhe pasiguri, pasi nuk kishin informacion të qartë për atë që po ndodhte në vend gjatë kohës së luftës.
Sipas platformave që monitorojnë trafikun online, interneti është rikthyer vetëm pjesërisht. Disa përdorues vazhdojnë të mos kenë lidhje, ndërsa aplikacione si WhatsApp funksionojnë me kufizime. Edhe përdorimi i VPN-ve, që shërbejnë për të shmangur censurën, është bërë më i vështirë.
Familjarë të iranianëve që jetojnë jashtë vendit thonë se komunikimi mbetet pothuajse i pamundur për shkak të shpejtësisë shumë të ulët të internetit. Shumë qytetarë nuk e shohin rikthimin e pjesshëm të internetit si një zgjidhje reale, pasi filtrimi dhe kontrolli shtetëror vazhdojnë.
Ndërprerja e internetit ka sjellë edhe pasoja të mëdha ekonomike. Sipas të dhënave nga Dhoma e Tregtisë së Iranit, humbjet direkte arrijnë deri në 40 milionë dollarë në ditë, ndërsa dëmet totale mund të kenë shkuar deri në 80 milionë dollarë çdo ditë.
Pavarësisht rikthimit të pjesshëm të lidhjes, shumë iranianë thonë se besimi te stabiliteti dhe liria e internetit është dëmtuar rëndë.

