Protesta të dh*nshme në Bolivi/ Qeveria drejt gjendjes së jashtëzakonshme dhe ndërhyrjes së ushtrisë

Presidenti i qendrës së djathtë të Bolivisë, Rodrigo Paz, ka bërë thirrje për dialog me protestuesit që kërkojnë dorëheqjen e tij, ndërsa situata në vend po përkeqësohet dhe tensionet vazhdojnë të rriten.

Në kryeqytetin administrativ La Paz, ai tha se vendi ka nevojë për rend dhe se kriza po i afrohet një pike shumë të ndjeshme. Sipas tij, ende ka hapësirë për zgjidhje brenda kornizës kushtetuese.

Protestat në Bolivi kanë hyrë në një fazë të re, me bllokime rrugësh dhe demonstrata të mëdha nga fermerë, minatorë, punëtorë dhe shoferë.

Fillimisht kërkesat ishin ekonomike, si rritja e pagave dhe furnizimi më i mirë me karburant, por tani kërkohet dorëheqja e presidentit.

Parlamenti ka miratuar gjendjen e jashtëzakonshme dhe ka hapur rrugën për përdorimin e ushtrisë në terren, me synim rikthimin e rendit dhe zhbllokimin e vendit.

Bllokimet kanë shkaktuar mungesa serioze të ushqimeve, ilaçeve dhe karburantit në qytetet kryesore si La Paz dhe El Alto. Ekonomia vendase, sipas vlerësimeve të qeverisë, ka humbur qindra milionë dollarë për shkak të paralizës.

Qeveria fajëson për situatën edhe grupime politike dhe figura të opozitës, ndërsa disa prej tyre paralajmërojnë se përdorimi i ushtrisë mund ta përkeqësojë edhe më shumë krizën.

Ndërkohë, protestat vazhdojnë dhe situata në vend mbetet e tensionuar, me rrezik për përshkallëzim të mëtejshëm.