KËRCËNUAN POLICËT NË AKSION! Gjykata lë në qeli djalin e ish-deputetit dhe të kërkuarin nga Italia
Gjykata e Lezhës la në burg dy të rinjtë, të akuzuar se kërcënuan dhe tentuan të përplasnin efektivët gjatë një operacioni policor në Mamurras. Leonard Dema, i kërkuar nga Italia për tentativë vrasjeje, mbeti i plagosur gjatë aksionit dhe pritet të ekstradohet për vuajtjen e dënimit.
Gjykata e Lezhës la në burg dy të rinjtë që tentuan të përplasin efektivët e policisë dhe u drejtuan në formë kërcënimi gjatë një operacioni për arrestimin e njërit prej tyre që rezultonte në kërkim ndërkombëtar I cili mbeti I plagosur pasi u qëllua në kushtet e vetëmbrojtjes nga agjentë e forcës operacionale.
23-vjeçari Amadeo Fufi, djali i ish-deputetit të PD, Mhill Fufi u njoh me masën e sigurisë në gjykatën e Lezhës, ndërsa 23-vjeçarit Leonard Dema masa iu komunikua në Spitalin e Traumës, ku ai vijon të trajtohet për plumbin e marrë gjatë operacionit policor që e vuri në pranga.
Gjyqtari Delvijot Lusha, pasi dëgjoi pretendimet e prokurorisë dhe avokatit mbrojtjës, e cilësoi të ligjshëm arrestimin e Amadeo Fufit dhe pranoi kërkesën që ai të qëndrojnë në burg
I riu do të hetohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si edhe “Kundërshtim i punonjësit të Policisë së Shtetit”.
Fufi akuzohet se I drejtoi një pistoletë agjentëve të policisë së Shtetit gjatë operacionit për arrestimin e Leonard Demës, që rezultonte person në kërkim pasi është dënuar në Itali për vrasje të mbetur në tentativë.
23 vjecari Dema ndërkohë do të shkojë nga spitali I traumës direkt në qelitë e paraburgimit, ku do të presë procedurat e ekstradimit drejt Italisë për të vuajtur dënimin e dhënë ndaj tij nga Gjykata e Trentos.
Gjatë aksionit policor ai tentoi të përplasë me makinë forcat e policisë që e kishin lokalizuar pranë një karburanti në Mamurras, ku është u arrestua.
Për shkak të situatës që rrezikoi jetën e efektivëve të policisë, dhe përdorimit të armës së zjarrit nga ana e këtyre të fundit, ngjarja po hetohet edhe nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore për të verifikuar nësë agjentët kanë vepruar sipas protokollit dhe procedura standard të përcaktuara.
