Plagosja e 17-vjeçarit në Kamëz, i mituri ende në gjendje kritike për jetën

Një 17-vjeçar që u plagos me armë zjarri pas mesnate në Kamëz vijon të jetë në gjendje të rëndë dhe nuk e ka kaluar ende rrezikun për jetën.

Burime nga Spitali i Traumës bëjnë me dije se i mituri ndodhet nën kujdes intensiv, pasi ka marrë një plagë në kokë dhe po trajtohet nga mjekët specialistë.

Policia ka arrestuar autorin e dyshuar, një 19-vjeçar të identifikuar si Rigels Sylaj, i cili dyshohet se është djali i një ushtaraku. Sipas hetimeve paraprake, ai kishte mbledhur tre shokë në banesë dhe gjatë një momenti kur po konsumonin alkool, ka nxjerrë një pistoletë që e mbante pa leje.

Pas ngjarjes, shokët e tij e kanë nxjerrë 17-vjeçarin jashtë banesës dhe kanë njoftuar ambulancën. Fillimisht ata kanë dhënë një deklaratë tjetër, duke pretenduar se e kishin gjetur të plagosur në oborr, por më vonë kanë pranuar versionin e vërtetë të ngjarjes.

Të tre personat janë arrestuar nga policia dhe po hetohen për rrethanat e plota të incidentit.