Një histori “hakmarrjeje”/ Si dhe pse rektori Artan Hoxha shkeli ligjin me pezullimin e dekanes së Juridikut, Dorina Hoxha
Gara për zëvendësimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka nxjerrë në dritë një përplasje të fortë që zhvillohet prej së paku dy vitesh mes Rektorit të Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha dhe dekanes së Fakultetit të Drejtësisë, Dorina Hoxha.
Drejtuesja e Juridikut, Hoxha, ka shprehur vullnetin për të kandiduar për një nga dy postet vakantë që krijohen në Shkurt 2027 për anëtarë të KLGJ-së nga radhët e pedagogëve.
Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, Rektori Hoxha ka vendosur pezullimin e përkohshëm të saj nga detyra.
Në vendimin e datës 20 Maj 2026, rektori thotë se ky vendim “qëndron në fuqi deri në përfundimin e procedurës së përzgjedhjes së anëtarëve të KLGJ-së…në funksion të garantimit të paanshmërisë institucionale dhe shmangies së konfliktit të interesi gjatë procedurës nga Kuvendi i Shqipërisë”.

Ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit gjyqësor” parashikon se dy nga njëmbëdhjetë anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor votohen nga radhët e pedagogëve të universiteteve të Drejtësisë dhe votohen në Parlament.
Procesi i votimit kryhet nga stafi pedagogjik i Universiteteve dhe, rektori Artan Hoxha ka vendosur pezullimin e përkohshëm të dekanes së Juridikut, Dorina Hoxha, nën argumentin se ajo mund të ndikojë në votën e pedagogëve në varësi të saj.
“Boldnews.al” kreu verifikime mbi bazën ligjore të përdorur nga Rektori Hoxha dhe rezultoi se nuk ka asnjë të tillë që të mbështesë vendimin e tij për pezullimin e dekanes së Juridikut. Këtu nisin elementët e parë të një skandali, i cili fsheh një konflikt të fuqishëm mes tyre.
Artan Hoxha është rektor i Universitetit të Tiranës që prej vitit 2020, ndërkohë që më herët ka qenë Dekan i Fakultetit të Drejtësisë. Megjithëse u largua nga Juridiku, ai ka tentuar gjithnjë që të mbajë kontrollin mbi një prej fakulteteve më të rëndësishme publike në vend.
Në vitin 2022, profesoresha Dorina Hoxha zgjidhet Dekane e Fakultetit të Drejtësisë. Një studente e diplomuar në vitin 2004 në Padova të Italisë, ajo nuk ishte pjesë e një “entourage” të krijuar prej vitesh në atë institucion arsimor.

Dekania Hoxha zgjodhi drejtimin e Fakultetit, duke bërë një ndarje të qartë të kompetencave mes stafit akademik dhe atij administrativ, duke synuar një ekuilibrin të menaxhimit institucional.
Por, kjo qasje e saj krijoi përplasjet e para me rektorin Artan Hoxha, i cili, prej së paku dy vitesh është përfshirë në një kurs përplasjeje indirekt me Dekanen.
Burime konfidenciale nga Rektorati thonë për redaksinë se rektori, nëpërmjet personave të tretë, i ka kërkuar disa herë largimin nga detyra dekanes Hoxha, kërkesa të cilave ajo nuk u është bindur.

Gjendja e nderë mes të dy kulmoi pikërisht këto ditë, kur rektori Artan Hoxha vendosi “pezullimin e përkohshëm” të Dorina Hoxhës nga detyra e dekanes, për “të shmangur konfliktin e interesit”.
Në vendin e saj, rektori emëroi përkohësisht profesor Skënder Kaçupin, edhe ky një ish-dekan i Juridikut, i cili duhet të kishte dalë në pension prej të paktën 7 vitesh. Kaçupi, i datëlindjes 1953, tashmë 73 vjeç, vijon të qëndrojë në detyrë falë “kontratave një-vjeçare”, të firmosura nga kolegu dhe miku i tij i ngushtë, rektori i Universitetit të Tiranës.

Kontrata e radhës e Skënder Kaçupit përfundon në Shtator të këtij viti. Por, ai duket se do të marrë një rinovim të ri, nëse vendimi i rektorit Artan Hoxha për pezullimin e dekanes Dorina Hoxha do të mbetet në fuqi.
Shkeljet ligjore të Rektorit Artan Hoxha
Për të kuptuar më së miri ato që duken si shkelje ligjore të Rektorit Artan Hoxha në vendimin për pezullimin e dekanes së Juridikut, Dorina Hoxha, redaksia konsultoi bazën ligjore të cituar në vendimin e shumë-diskutueshëm.
Duke mbajtur në konsideratë se Artan Hoxha është një jurist i mirë-njohur, ish-dekan i Fakultetit të Drejtësisë dhe një nga Ekspertët e Lartë të hartimit të Reformës në Drejtësi, duket se “shkeljet ligjore” të tij nuk janë thjesht një “naivitet profesional”, por diçka që shkon përtej.
Në vendimin e Rektorit Hoxha citohen nenet 39 dhe 41 të ligjit nr. 80/2025 “Për Arsimin e Lartë…”. Në asnjë prej këtyre neneve nuk parashikohet e drejta e Rektorit për “pezullimin e përkohshëm” të Dekanit. Përkundrazi, aty parashikohet qartë se “rektori i propozon Ministrit të Arsimit shkarkimin e Dekanit, në rast të shkeljeve ligjore”. Në rastin konkret, dekania e Juridikut, Dorina Hoxha, nuk ka kryer asnjë shkelje.
Statusi i Universitetit të Tiranës
Në Vendimin e Rektorit Artan Hoxha citohen nenet 33, 34 dhe 36 të Statutit të Universitetit të Tiranës, i cili është në fuqi prej vitit 2018.
Këto nene parashikojnë, në përgjithësi, kompetencat e Rektorit dhe Dekanit. Në njërin prej tyre parashikohet, ndër të tjera: “Rektori…i propozon ministrit përgjegjës për arsimin shkarkimin e autoritetit drejtues të njësisë kryesore të institucionit publik, në rastet e kryerjes së veprave penale flagrante ose të shkeljeve të rënda të ligjit, të pamundësisë për të kryer detyrën dhe për rastet e parashikuara në Kodin e Etikës së Universitetit”.
Pra, edhe në Statutin e Universitetit, siç është logjika juridike, transpozohet parashikimi ligjor që i jep të drejtën Rektorit të propozojë shkarkimin e drejtuesit të njësisë kryesore (përfshirë edhe fakultetet). Në asnjë vend nuk përmendet e drejta e Rektorit për “pezullimin e përkohshëm të Dekanit”.
Ligji “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”
Në vendimin e Rektorit Artan Hoxha për pezullimin e përkohshëm nga detyra të Dekanes së Juridikut, Dorina Hoxha, përmendet si bazë ligjore e përgjithshme edhe ligji nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
Në mungesë të citimit të një baze konkrete ligjore, “Boldnews.al” konsultoi këtë ligj, për të kuptuar se cilin nen mund të kishte shfrytëzuar Rektori Hoxha për vendimin e tij.
Në nenin 40 të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, thuhet, ndër të tjera: “5. Anëtarët e dekanatit, të cilët kandidojnë, nuk marrin pjesë në mbledhje dhe nuk votojnë. Në rastin e kandidimit të dekanit, detyrat e tij kryhen prej një nga zëvëndesdekanët”.
Ligji parashikon në mënyrë të detajuar mënyrën e kandidimit dhe përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Pra, ky ligj ka fokusin specifikisht vetëm në organizimin e procedurave dhe mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve të organeve që qeverisin gjykatat dhe prokurorinë.
Në këtë frymë, ligjvënësit kanë parashikuar që dekani, në rastet kur kandidon për në KLGJ, ai nuk përfshihet në procedurat e organizimit të mbledhjes dhe votimit. Por, nuk ka asnjë ndalim për të vijuar detyrat e tjera administrative dhe organizative të Fakultetit.
Këtë frymë të ligjit e ka shumë të qartë edhe Rektori Artan Hoxha. Këtë e ka reflektuar më së miri në Udhëzimin e nxjerrë prej tij në dt. 30 Prill 2026 “Mbi rregullat e detyrueshme për zbatim gjatë përzgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga personeli me kohë të plotë i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës”.

Ky Udhëzim parashikon rregullat për organzimin e mbledhjes e procedurave të votimit për anëtarët e KLGJ-së dhe KLP-së, ku përcaktohen edhe detyrat thelbësore të Dekanit për këtë procedurë.
Në Udhëzimin e konsultuar nga “Boldnews.al”, në nenin 10 të tij, Rektori Artan Hoxha shprehet: “…Në rastin e kandidimit të dekanit, rektori cakton që detyrat e dekanit në këtë procedurë, kryhen nga një prej personave të parashikuar në nenin 40 të ligjit nr.115/2016”.

Pra, në atë Udhëzim, rektori i Universitetit të Tiranës është tërësisht i qartë se, në rastet e kandidimit të dekanit, “detyrat e tij në këtë procedurë”, pra vetëm në këtë procedurë të përzgjedhjes së anëtarëve të KLGJ-së dhe KLP-së, i kryen zv.dekani ose pedagogu më i vjetër në moshë.
E, pavarësisht bazës ligjore dhe qartësisë së tij mbi ligjin, Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, vendosi “pezullimin e përkohshëm” nga detyra të Dekanes së Fakultetit të Drejtësisë, Dorina Hoxha, në shkelje flagrate të ligjit.
Ligji për “Arsimin e Lartë” parashikon që dekanët e Fakulteteve, në rastin konkret titullarja e Juridikut në Tiranë, duhet të ankohet pranë Ministrisë së Arsimit për ato që mund të jenë vendime flagrante të Rektorit.
Më tej, në rast se ankimuesi nuk gjen të drejtën në Ministrinë e Arsimit, atëherë ka mundësinë t’i drejtohet Gjykatës Administrative.
Përtej procedurave të mëtejshme ligjore, vendimi i rektorit Artan Hoxha krijoi një përplasje të pazakontë dhe ligjshmëria ose paligshmëria e Vendimit të tij për pezullimin e Dekanes së Fakultetit të Drejtësisë në Tiranë, Dorina Hoxha, pritet të kristalizohet në periudhën në vijim/ Nga Boldnews.al



