Aksidenti me vd*kjen e 7-vjeçarit në derën e shkollës në Elbasan, shoqërohet në polici producenti Petri Bozo

Një fëmijë 7-vjeçar u përplas për vdekje pranë shkollës së fshatit Mengël në Elbasan nga makina që drejtohej nga regjisori Petri Bozo. Banorët thonë se aksidentet në këtë segment rrugor janë të përsëritura dhe kërkojnë masa urgjente për sigurinë.

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një 7-vjeçari ndodhi mëngjesin e sotëm në Mengël të Elbasanit.

Burime nga policia bëjnë me dije se fëmija është përplasur pranë shkollës ku ai studionte.

Shkaktar i aksidentit dyshohet regjisori dhe producenti Petri Bozo, djali i ish-deputetes së PS-së, Luljeta Bozo, i cili është shoqëruar në ambientet e policisë për të dhënë shpjegime. Policia dhe ekspertët ndodhen në vendngjarje, për të hedhur dritë mbi shkaqet e aksidentit.

Njoftimi:

Elbasan/Informacion paraprak

Rreth orës 08:00, në aksin rrugor “Elbasan-Librazhd”, automjeti me drejtues shtetasin Petri Bozo, 61 vjeç, ka përplasur një fëmijë rreth 7 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën.

Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor në vendngjarje po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.