Muzikë, modë, kulinari, teatër e kinema, Java Kulturore Italiane nga 31 maji deri më 6 qershor
Nga 31 maji deri më 6 qershor në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë do të zhvillohen aktivitetet e Javës Kulturore Italiane.
Programi i detajuar i kësaj jave të pasur me evente, u bë i ditur nga ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti, drejtori i Institutit Italian të Kulturës, Alessandro Ruggera, zëvendësministrja e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Lira Pipa etj.
Programi i kësaj jave e cila përkon me 80-vjetorin e Republikës së Italisë, parashikon 15 evente të artit pamor, muzikës, modës, teatrit dhe kinemasë, të cilat do të zhvillohen në të gjithë vendin: Tiranë, Vlorë, Gjirokastër, Berat, Butrint.
“Në 8 ditë pune, do të kemi 15 aktivitete në këtë edicion të pestë. Me këto aktivitete duam të thyejmë rekordin tonë prej 120 aktivitetesh dhe nismash në një vit, pra 10 aktivitete në muaj ose 2 aktivitete në javë”, tha ambasadori Alberti duke përmbledhur në shifra gjithë sa do të ndodhë në Javën Kulturore Italiane.
Më tej ai nënvizoi objektivin e kësaj jave, për të arritur të paktën 500 mijë vizualizime në rrjetet sociale.
Ndërsa zëvendësministrja e MTKS, Lira Pipa tha se, kjo javë vjen në një moment shumë interesant të bashkëpunimit tonë kulturor mes Italisë dhe Shqipërisë, ku së shpejti do të prezantohet Strategjia Kombëtare e Kulturës, e cila është realizuar me mbështetjen e qeverise italiane.
Me pjesë të kësaj strategjie janë marrë edhe ekspertë ndërkombëtarë italianë të cilët na kanë ofruar të gjithë njohuritë e tyre dhe eksperiencat më të mira ndërkombëtare për t’i adaptuar edhe ne në vendin tonë”, tha Pipa.
Një nga aktivitetet më interesante të kësaj jave kulturore do të jetë koncerti i Mario Biondi-t, mbrëmjen e datës 1 qershor, në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit.
Në COD, më 3 qershor, do të ketë një aktivitet kushtuar mjeshtrit të arkitekturës italiane, Gaetano Pesce.
Më 4 qershor janë planifikuar dy shfaqje në Teatrin e Kukullave të Tiranës, me marionetat e famshme siciliane (ora 16:00 dhe 18:00).
Aktivitetet do të kulmojnë me teatrin “Vizita” nga regjisori Davide Iodice, në Amfiteatrin e Butrintit. Kjo shfaqje që vjen si bashkëpunim me Teatrit të Sardenjës dhe Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, zbret në Amfiteatrin e Butrintit pas një sërë vlerësimesh në vend dhe në festivale ndërkombëtare.

