Produksioni shqiptar i baletit “Carmen”, së shpejti në teatrin e Bologna-s
Pas suksesit të jashtëzakonshëm me 4 shfaqje biletat e të cilave u shitën në kohë rekord, baleti “Carmen” udhëton drejt Italisë për t’u ngjitur në skenën prestigjioze të Teatro Comunale di Bologna.

Shfaqjet janë parashikuar për në datat 23 dhe 24 maj. Udhëtimi drejt Bolonjës përfaqëson një moment të rëndësishëm për promovimin e artit dhe kulturës shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Në një nga teatrot më të njohur të Italisë, artistët shqiptarë do të sjellin në skenë gjithë energjinë, elegancën dhe profesionalizmin që karakterizoi këtë produksion që prej premierës së tij në Tiranë.

Ky produksion i “Carmen-it”, për katër net me radhë mbushi sallën e TKOBAP-së me duartrokitje të gjata dhe emocione të forta. Baleti “Carmen” solli në skenë interpretimet brilante të artistëve Anbeta Toromani, Adela Muçollari, Alessandro Macario, Dion Gjinika dhe Luca Curreli, të cilët i dhanë jetë një universi skenik plot pasion, dramë dhe intensitet artistik.

“Carmen” riktheu në vëmendje fuqinë e baletit përmes një historie universale dashurie dhe lirie, duke u shndërruar në një nga produksionet më të rëndësishme të sezonit artistik në TKOBAP.
Ndërkohë TKOBAP bëri të ditur se dy javët e para të majit u mbyllën me 7 shfaqje “sold out”, ku mbi 5400 artdashës përjetuan emocione të sinqerta, në sallën e këtij teatri.

